Ndërlidhjet

Konsultimet në Bruksel


Ivica Daçiq dhe Tomisllav Nikolliq

Ivica Daçiq dhe Tomisllav Nikolliq

Kreu shtetëror i Serbisë do të udhëtojë sot për në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu edhe Përfaqësuesen e Lartë, Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë - Serbi.

Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendës-kryeministri i parë Aleksandar Vuçiq do të bisedojnë me baroneshën Ashton lidhur me ngecjet në bisedimet që kanë të bëjnë me formimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar formimin e kësaj bashkësie, që në Kosovë njihet si Asociacion, por ka refuzuar mundësinë që ky organizim të ketë fuqi ekzekutive, ashtu siç synon Beogradi.

Para nisjes, kryeministri serb Daçiq ka deklaruar se Serbia nuk do të pranojë asgjë më pak nga ajo që në Kosovë të formohet bashkësia e komunave serbe, e cila do të kishte pushtetin ekzekutiv.

Zëvendës-kryeministri i parë serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se kreu i shtetit serb po udhëton në Bruksel për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Lidhur me këtë çështje dhe me procesin negociator në përgjithësi, baronesha Ashton pritet ta vizitojë Prishtinën më 14 mars.

Takimet e zonjës Ashton janë cilësuar si konsultime në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Raundi i ardhshëm i këtij dialogu, në nivel kryeministrash, mbahet në Bruksel më 20 mars. (b.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG