Ndërlidhjet

logo-print

Një "Akt Magnitsky" edhe në Evropë?

  • RFE /RL

Ekspozitë me gjësendet e Magnitskyt.

Ekspozitë me gjësendet e Magnitskyt.


Beteja mbi rastin e Sergei Magnitsky po zhvendoset në Evropë.

Pas lobimit, pothuajse trevjeçar të arkivistëve, Kongresi amerikan ka miratuar në fund të 2012-s një legjislacion që sanksionon zyrtarët rusë të përfshirë në ndjekjen dhe vdekjen e avokatit rus kundër korrupsionit, Sergei Magnitsky, i cili vdiq gjatë paraburgimit. Rasti tani po simbolizon dështimin e të drejtave të njeriut në Rusi.

Ligji amerikan që ua ndalon vizat dhe ngrin asetet zyrtarëve rusë që shkelin të drejtat e njeriut, asnjëherë nuk është parë të jetë përfundimtar. Në vend të kësaj, legjislacioni krijoi një rrethanë të favorshme për të miratuar diçka të ngjashme edhe në Bashkimin Evropian.

Kësaj përpjekjeje tani po i vjen momenti i saj.

Kristina Ojuland, anëtare e Parlamentit Evropian nga Estonia, ka çuar përpara këtë përpjekje.

“Rusët e konsiderojnë veten, si pjesë të Evropës, si evropianë, Andaj, është e rëndësishme që Evropa të reagojë, jo vetëm në rastin Magnitsky, por edhe më gjerë, të reagojë kundër korrupsionit, kundër parave të pista që po hyjnë në shtetet e BE-së”, thotë Ojuland.

Ngrirja e aseteve dhe ndalesa e vizave në Evropë do të godiste zyrtarët rusë më shumë sesa sanksionet e ngjashme në SHBA. Siç vëren Ojulaand, zyrtarët rusë i kanë në qejf pushimet, blerjet dhe arsimimin e fëmijëve të tyre në shtetet e BE-së. Ata, gjithashtu, kanë në qejf më shumë ruajtjen e parave në bankat evropiane.

Magnitsky është burgosur në vitin 2008, pasi që përfshiu zyrtarët rusë të qeverisë në një skemë komplekse të vjedhjes së 230 milionë dollarëve nga arka e shtetit. Atij në mënyrë të vazhdueshme i është refuzuar ofrimi i ndihmës mjekësore dhe është rrahur para se të vdiste në vitin 2009. Disa zyrtarë të lartë të përfshirë në rastin e tij, tashmë janë promovuar.

Rusia e ka akuzuar Magnitskyn për evazion fiskal dhe po e zhvillon gjyqin ndaj tij për së vdekuri. Procesi është dashur të fillojë të hënën, por është shtyrë deri më 22 mars.

Propozimet e Ojulandit, që i rekomandojnë BE-së kufizim për vizat dhe ngrirjen e aseteve, do të kishin në shënjestër zyrtarët rusë. Rekomandimet janë miratuar nga Parlamenti Evropian në një rezolutë joobligative, por për sanksione të gjera të BE-së, duhet pajtimi i të gjitha 27 vendeve anëtare.

Ministrat e Jashtëm të bllokut ende nuk janë marrë me këtë çështje. E, as shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Ligjvënësit kanë shtyrë përpara rastin, duke argumentuar se Evropa është e obliguar që të marrë qëndrim moral mbi të drejtat e njeriut në Rusi dhe shkeljet ligjore.

Mbështetësit e sanksioneve, gjithashtu, theksojnë se duhet bërë hetime për gjurmët e parave të keqpërdorura që i ka zbuluar Magnitsky.

Miliona dollarë, që dyshohet se janë vjedhur nga thesari rus gjenden në xhirollogaritë bankare në shtetet baltike, Zvicër, Moldavi dhe gjithandej në Evropë.

Në muajin shkurt, kreu i Bankës Qendrore Sergei Ignatiev tha se në vitin 2012, 49 miliardë dollarë kanë dalë nga vendi përmes “transaksioneve të dyshimta”.

Por, miratimi i sanksioneve i Evropës, e cila mbështetet në Moskë për një të tretën e gazit të saj dhe importoi mallra në vlerë prej 198 miliardë dollarësh në vitin 2011, do të shkaktojë kundërshtime të ashpra.

Ekziston frika se Rusia mund të përdorë këtë ndikim që të hakmerret ndaj sanksioneve evropiane.

Pas miratimit të legjislacionit amerikan, Moska është kundërpërgjigjur me një ligj që ua ndalon amerikanëve birësimin e fëmijëve rusë.

Para rezolutës së vitit të kaluar, Parlamenti Evropian ka miratuar një tjetër në vitin 2010, që gjithashtu bën thirrje për sanksione si reagime ndaj rastit Magnitsky, por kjo nuk çoi askund.

Një zyrtar në Bruksel, që njeh mirë situatën, i tha Radios Evropa e Lirë se Ashton nuk i injoron veprimet e parlamentit dhe se sanksionet ndaj Magnitskyt gjenden ende “në tavolinë”. Zyrtari tha se, megjithatë, ato janë konsideruar si hapi i fundit.

William Browder, shefi ekzekutiv i Hermitage Capital, kompanisë ku ka punuar Magnitsky në Moskë, ka ndërmarrë një mision për t’i shndërruar sanksionet në prioritet.

“Pas kalimit të Aktit Magnitsky në Amerikë, prioriteti ynë më i madh dhe i vetëm është kalimi i aktit të njëjtë në Evropë. Veprimi amerikan është tepër i rëndësishëm sepse vendos precedent, por, veprimi evropian, mund të jetë më material për rusët, sepse ata kanë më shumë pasuri dhe para në Evropë”, shprehet Browder.

Browder, i lindur në Amerikë, ka udhëhequr një fushatë ndërkombëtare për ish-avokatin e tij. Ai ka lobuar në SHBA dhe tash thotë se sanksionet e gjera të BE-së mund të ndodhin me gjithë rezervat në krye të BE-së.

“Çka mund të ndodhë dhe çka do të ndodhë është se do të kemi një mbështetje aq të madhe të publikut, sa që ekzekutivi do të nisë të shqetësohet se kjo do të shndërrohet në çështje politike, mbi të cilën ata mund të humbasin mbështetjen nëse ndërmarrin ndonjë pikëpamje të pandershme”, u shpreh Brwoder.

Ai ka nisur fushatën evropiane të tij në muajin shkurt, duke u takuar me zyrtarë të Ministrive të Jashtme dhe parlamentarë në Berlin dhe në Paris.

Më 27 shkurt ai dëshmoi para Komitetit për Çështje të Jashtme në parlamentin irlandez.

Irlanda është në krye të interesimit të biznesmenit, pasi që ajo mban presidencën e radhës të BE-së dhe mund ta ndryshojë agjendën e ministrave të Jashtëm të Këshillit Evropian.

Browder ka bërë planifikimet e mundshme. Shtyrja shtet pas shteti mund të ndihmojë, që të paktën një nga 26 shtetet në zonën e Shengenit që të pamundësojë vizat. Atëherë ndalesa do të aplikohej te të gjitha shtetet tjera në zonë.

Derisa Browder planifikon udhëtime tjera evropiane, Rusia e ka akuzuar atë se ilegalisht ka blerë aksione në vlerë prej 100 milionë dollarësh në kompaninë e kontrolluar nga shteti, Gazprom.

Televizioni pro Kremlinit, NTV, së fundi ka transmetuar një dokumentar, që pretendon se Browder është spiun i Britanisë dhe e ka shfrytëzuar vdekjen e Magnitskyt për interesa të tij.

Biznesmeni tha se lëvizja e Rusisë është një përpjekje e “dëshpëruar” për të devijuar fushatën e tij mbi sanksionet.

Ndërkohë, ligjvënësit evropianë dhe liderët do të mbajnë një sy te Uashingtoni në muajin e ardhshëm - dhe te reagimet e Moskës, që duket se me siguri do të pasojnë.

Raundi i parë i emrave të zyrtarëve rusë të sanksionuar pritet të publikohet nga regjistri federal i SHBA-së më 13 prill.

Ojuland thotë se ky do të jetë një ”sinjal” dhe “inkurajim” për qeveritë evropiane.(a.i.)
XS
SM
MD
LG