Ndërlidhjet

Lugina e Preshevës kërkon institucione me kompetenca ekzekutive


Preshevë (Foto nga arkivi)
Preshevë (Foto nga arkivi)
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë trajtim dinjitoz nga ana e shtetit të Serbisë dhe reciprocitet në sigurimin e të drejtave si pakicë, ngjashëm me të drejtat që u sigurohen serbëve në Kosovë, e sidomos në veri të vendit.

Kështu thonë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilët e kanë mbështetur dokumentin me titull “Masa urgjente për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, i cili ka dalë nga Kuvendit i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, thotë se Qeveria e Serbisë, deri më tash është treguar e paaftë për t’i zgjidhur problemet, me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Qeveria në Beograd, deri më tash, nuk e ka treguar atë gatishmëri dhe atë aftësi ose thjesht, është dëshmuar e paaftë. Për këtë arsye, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë, fillimisht, i ka sistemuar dhe paraqitur në një dokument të gjitha problemet që kërkojnë zgjidhje urgjente, që nuk thotë se aty është dhënë edhe zgjidhja komplete për çështjen shqiptare në Luginë të Preshevës. Aty është lista e problemeve më urgjente dhe që kërkojnë zgjidhje urgjente”, thotë Halimi.

Kuvendit i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës, përmes dokumentit ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që t’i zgjidhë problemet urgjente, siç janë çështjet e sigurisë, ato ekonomike, të përdorimit të gjuhës dhe simboleve, decentralizimi i gjykatave e të tjera.

Gjithashtu, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kërkojnë nga Qeveria në Beograd, që, sipas modelit të veriut të Kosovës, të formohet bashkësia e komunave shqiptare edhe në Serbi.

Këtë e pohon edhe Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, i cili thotë se kërkesat e shqiptarëve për zgjidhjen e problemeve janë të kamotshme.

Ragmi Mustafa
Ragmi Mustafa
“Në këtë drejtim, nuk do shumë mend se shqiptarët e Luginës së Preshevës, së paku, duan t’i realizojnë të drejtat e tyre po në atë shkallë sa do t’i realizojnë serbët në veriun e Republikës së Kosovës, në këto bisedimet e fundit që tashmë po ngjajnë ndërmjet dy kryeministrave , të Republikës së Kosovës dhe të atij të Serbisë”, thekson Mustafa.

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, konsideron që masat urgjente që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Serbisë për zgjidhjen e problemeve urgjente, duhet të jenë të përkohshme.

“Ndërkohë, do të duhet të ndërtohen institucione të karakterit rajonal, me kompetenca ekzekutive. Pra, që do të kenë mundësi që të marrin vendime për çështjet që janë veçori të të drejtave të shqiptarëve, si kolektivitet, konform standardeve që ka Bashkimi Evropian, por edhe standardeve që po krijohen në Kosovë me Planin e Ahtisarit dhe me marrëveshjen që është duke u zhvilluar në Bruksel”, vlerëson Kamberi.

Reciprociteti sa i përket sigurimit të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ngjashëm me të drejtat e serbëve në veri të Kosovës, sipas deputetit Halimi është i domosdoshëm:

“Reciprocitet, në çfarëdo lloj veprimi dhe në çfarëdo lloj të drejte që e fitojnë serbët në Kosovë, ato, me të gjitha argumentet që i kemi paraqitur, u takojnë edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës”.

Ngjashëm thotë edhe i pari i Komunës së Preshevës, Mustafa:

“Fare e thjeshtë për ta kuptuar Beogradi, por edhe Qeveria në Prishtinë, si dhe komuniteti ndërkombëtar. Për gjithçka që angazhohet Beogradi për serbët në veriun e Republikës së Kosovës, pse të mos angazhohet edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?”.

Përfaqësuesit institucionalë të shqiptarëve kanë paralajmëruar se tashmë janë duke e hartuar edhe një dokument, siç e kanë quajtur ata, të karakterit strategjik.

Kryetar i komunës së Bujanocit, Kamberi, thotë se ky dokument parasheh mënyrën se si mendohet të realizohen objektivat që kanë shqiptarët në Luginë.

Shaip Kamberi
Shaip Kamberi
“Si duhet të ndërtohen dhe cilët mekanizma do të duhet të ndërtohen, përveç rritjes së kompetencave të pushteteve lokale, dhënies së mundësisë së kompetencave ekzekutive për Këshillin Kombëtar Shqiptar, i cili tash për tash, më tepër ka vetëm kompetenca këshillëdhënëse, si dhe eventualisht ndërtimin e mekanizmave tjerë të bashkëpunimit të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që do t’i mbronin interesat e shqiptarëve. Pra, ato të drejta që janë karakteristikë dhe veçori vetëm e shqiptarëve dhe jo edhe popujve tjerë që jetojnë në këtë rajon”, potencon Kamberi.

Megjithatë, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nuk kanë shumë besim se Qeveria e Serbisë do t’i realizojë kërkesat që Kuvendit i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës i ka parashtruar në dokument.

Por, ata shpresojnë se bashkësia ndërkombëtare do ta japë ndihmesën e saj në realizimin e të drejtave të pakicave në rajon, duke inkurajuar apo detyruar Beogradin zyrtar.

Në të kundërtën , ata kanë paralajmëruar se, varësisht nga zhvillimet, do t’i ndërmarrin edhe hapat tjerë, e që fillimisht do të jetë ulja e bashkëpunimit të komunave të tyre me institucionet republikane në Serbi.
XS
SM
MD
LG