Ndërlidhjet

Dita e parë: Dështon zgjedhja e papës

  • RFE /RL

Nga Kapela Sistine në Vatikan ka dalë tymi i zi, çfarë do të thotë se kardinalët nuk kanë arritur të zgjedhin papën e ri.

115 kardinalë nga 48 vende të botës kanë nisur të martën mbledhjen e fshehtë për të zgjedhur kreun e ri të Kishës Katolike.

Kardianlët do të votojnë katër herë në ditë derisa dy të tretat e tyre të pajtohen për një kandidat.

Kur të arrihet pajtimi, nga Kapela Sistine do të dalë tymi i bardhë.

Kardinalët sot kanë ndjekur “Meshën për Zgjedhjen e Papës” në bazilikën e Shën Pjetrit.

Kardinali Angelo Sodano, dekan i Kolegjit të Kardinalëve, ka bërë thirrje për unitet brenda Kishës Katolike Romake.

Mbledhja e fshehtë vjen një muaj pasi Benedicti XVI ka tronditur botën e krishterë duke u bërë papa i parë në 600 vjet që jep dorëheqje.

Italiani Angelo Scola dhe braziliani Odilo Scherer shihen si kandidatë të fortë për të siguruar 77 votat e nevojshme për fitoren.

Scherer, 63 vjeç, është kandidati kryesor nga Amerika Latine, ku jetojnë 42 për qind të katolikëve të botës.

Ai do të ishte papa i parë joevropian në 1,300 vjet dhe i pari amerikano-jugor që kryeson Selinë e Shenjtë.

Edhe pse cilësohet si konservator, Scherer ka përqafuar teknologjitë e reja, përfshirë mesazhet në Twitter.

“Ajo çfarë duhet të bëjmë tani, është të bashkohemi rreth një kulture, e cila është zgjeruar shumë shpejt me kushte të reja të komunikimit. Kjo është një sfidë e madhe me të cilën duhet të përballemi”, ka thënë Scherer.

Në një intervistë të realizuar së fundmi, ai po ashtu ka thënë se gjeografia nuk duhet të jetë faktor në zgjedhjen e papës së ri.

“Gjëja më e rëndësishme nuk është se prej nga vjen papa, se ka këtë prapavijë ose atë. E rëndësishme është që ai të jetë personi më i mirë për të udhëhequr Kishën në këtë pikë historike të saj”, ka thënë Scherer.

Ai thuhet se ka edhe mbështetjen e burokracisë së Vatikanit, të njohur si “Curia”.

Kardinali Scola, ndërkaq, është favorizuar nga kardinalët e tjerë me shpresë se do të tundë pak këtë organ të fuqishëm.

Megjithatë, analistët thonë se sa më gjatë që të zgjasë votimi, gjërat bëhen më të paparashikueshme.

Dhe, një gjë e tillë mund të rrisë shanset e kandidatëve të tjerë kryesorë, përfshirë Marc Ouellet nga Kanadaja, kardinalët amerikanë Sean O’Malley dhe Timothy Dolan, ashtu si edhe Leonardo Sandrin nga Argjentina.

Cilido që të jetë papa i ri, ai do të përballet me problemet që përfshijnë skandalet seksuale dhe anëtarësinë në rënie. (v.t.)
XS
SM
MD
LG