Ndërlidhjet

Koalicionet një-etnike, rrezikojnë ndëretnicitetin


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Qyteti i Strugës gjatë tetë vjetëve të kaluara është drejtuar nga kuadër shqiptar i BDI-së, por pas marrëveshjes së arritur mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për të garuar me kandidatë të përbashkët, gjasat janë reale që kuadri i tyre edhe të fitojë, për shkak të garimit të shqiptarëve me më shumë kandidatë.

Kjo, ka bërë që partitë të nisin aktivitete të ndryshme për të mobilizuar anëtarësinë, por edhe për të përcjellë mesazhet e, siç thonë, unitetit etnik për të mos humbur qytetin.

“Gjëja e vetme pozitive nga koalicioni mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për Strugën dhe Kërçovën, është se kur ekziston vullnet politik, gjithçka mund të arrihet, por koalicioni i arritur në rastin konkret do të reflektojë shumë negativisht. Ky koalicion krijon tensione ndëretnike, rrënon besimin mes komuniteteve, konceptin e zgjedhjeve qytetare, pasi kryetar komune duhet të zgjidhet kandidati më i aftë, ai që ka program më të mirë dhe jo zgjedhja të bëhet në bazë të përkatësisë etnike të pjesëmarrësve në zgjedhje”, thotë Zdravko Savevski, analist politik.

Nga ana tjetër, profesori universitar, Alajdin Demiri ,thotë se koalicioni mes dy partive më të mëdha maqedonase, dëshmon edhe njëherë se kur ëshët fjala për çështjet etnike, partitë harrojnë armiqësitë e tyre dhe unifikohen sikur të jenë një.

“Aspekti etnik që u shtohet zgjedhjeve lokale, e zbulon orientimin politik të partive maqedonase, të luftës etnike, apo të mosdurimit etnik, që gjithsesi në afat më të gjatë nuk do të japë rezultate. Gatishmëria politike e partive maqedonase, rivale të skajshme, sqaron se këto parti politike mund të bëjnë edhe gafe, edhe shkelje juridike për të arritur qëllimin e tyre se orientimi i tyre është krejtësisht i qartë, por që në afate më të gjata, nuk do të japë rezultate”, vlerëson Demiri.

Zdravko Savevski, nga ana tjetër, vlerëson se mobilizimi mes partive maqedonase në këto dy qytete, në radhë të parë ka për bazë interesat e tyre personale dhe të grupeve të caktuara, pasi sikur të ishte kështu, atëherë ato do të duhej të bënin koalicion edhe për çështje më madhore në shtet, siç është zgjidhja e çështjes së emrit.

Andaj, Savevski, koalicionin etnik të partive maqedonase për Strugën dhe Kërçovën e vlerëson të dëmshëm.

“VMRO dhe LSDM, kur është çështja për interesat e tyre personale, interesat materiale, atëherë ato tregojnë vullnet politik dhe arrijnë koalicione, por kjo nuk vlen edhe për interesat më të larta shtetërore. Thjesht, mendoj se ky koalicion nuk është në të mirën e popullit maqedonas në këto dy qytete”, thotë Savevski.

Lidhur me situatën e krijuar pas koalicionit mes partive maqedonase, partitë shqiptare kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesën e një koalicioni mes tyre për qytetin e Strugës, ndërsa në Kërçovë, në garën për kreun e Komunës merr pjesë vetëm BDI-ja. Kurse, dy partitë tjera nuk kanë nxjerrë kandidatët e tyre, por marrin pjesë me lista për këshillin e qytetit.

Duke komentuar pozicionin e këtillë të subjektit politik shqiptar dhe akuzat ndërmjet tyre për dështimin e koalicionit, Aljadin Demiri thekson:

"Pas zgjedhjeve lokale, dëshpërimi i qytetarëve nga partitë shqiptare do të jetë i madh. Nëse humben këto dy qytete, atëherë do të fillojë kthjellimi i partive shqiptare".

Interesi për zgjedhjet në Kërçovë ka nxitur mobilizimet mes partive edhe për faktin se për herë të parë zgjedhjet zhvillohet në bazë të ndarjes së re territoriale. Në fakt, qytetit i janë bashkangjitur edhe komunat rurale me shumicë shqiptare, me çka është ndryshuar edhe struktura etnike dhe tani numrin më të madh të popullatës e përbëjnë shqiptarët.

Zgjedhjet lokale më 24 mars zhvillohet në 84 komuna plus Shkupin, si njësi e veçantë e pushtetit lokal me 10 komuna urbane.
XS
SM
MD
LG