Ndërlidhjet

Deklaratat konfuze të Beogradit zyrtar

  • RFE /RL

Qeveria e Serbisë

Qeveria e Serbisë

Deklaratat kontradiktore të presidentit dhe kryeministrit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq e Ivica Daçiq, se Prishtina po lëshon pe, mund të jenë të destinuara vetëm për konsum të brendshëm politik.

Një vlerësim të tillë e japin analistë politikë, sipas të cilëve dilema që kanë ngritur dy zyrtarët më të lartë të Serbisë, ka ngjallur vetëm konfuzion në Serbi dhe gjetiu, pasi është fituar përshtypja sikur Nikolliq e Daçiq të mos kenë qenë në të njëjtin takim.

Dilema se a do të ketë marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, bazuar në deklaratat e delegacionit shtetëror serb pas përfundimit të takimit me baroneshën Catherine Ashton të hënën mbrëma, del të jetë edhe më e madhe, krahasuar me disponimin e palës serbe para kësaj ngjarjeje.

Një ekspert i çështjeve që ndërlidhen me Evropën Jug-Lindore, Florian Bieber, vlerëson se polemikat e ngritura kanë për cak hutimin e opinionit të brendshëm serb.

“Unë do ta interpretoja këtë më shumë nga perspektiva e përgatitjes së një marrëveshjeje; kjo është strategjia e Daçiqit që të japë deklarata goxha kontradiktore - në njërën anë shumë pesimiste, kurse në tjetrën shumë optimiste, deri në atë masë, që në të njëjtën fjali ai të lëshojë sinjale pozitive dhe negative”.

“Kjo, po ashtu, reflekton edhe realitetin në Serbi - që në njërën anë, ekziston gatishmëria për arritjen e njëlloj kompromisi, por edhe skepticizëm, apo edhe një rezistencë të fuqishme për çfarëdo kompromisi nga frika se do t’i çojë ata drejt njohjes së Kosovës”,
vlerëson Bieber.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se Prishtina zyrtare po bllokon marrëveshjen eventuale mes palëve, për shkak të insistimit të saj që Asociacioni i komunave serbe në Kosovë, të mos ketë pushtet ekzekutiv.

Sipas tij, një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë në këtë formë, nuk mund të arrihet nëse merren parasysh vetëm kërkesat e Prishtinës, e ato të Beogradit refuzohen.

“Serbia është e gatshme për marrëveshje. Por, kjo marrëveshje nuk mund të jetë brenda kornizave të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por duhet të jetë një marrëveshje politike, në të cilën merr pjesë bashkësia ndërkombëtare, me garanci ndërkombëtare. Sepse me këtë gjë, ndër të tjera, përjashtohet edhe mundësia e një konflikti të armatosur”.

“Ne kemi vetëm një kërkesë, dhe atë: Ose na jepni Bashkësinë e komunave serbe, e cila do të ketë me çka të merret, ose të mos humbim më kohë në këtë temë”,
tha Daçiq.

Pala kosovare në dialogu me Serbinë, refuzon kategorikisht që të bëjë kompromis për çështjen e Asociacionit të komunave serbe, jashtë asaj që parashihet në Planin e Ahtisaarit, meqë në këtë mënyrë vlerëson se do të shtonte rrezikun e krijimit të një pushteti të tretë, krahas qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

Mirëpo, profesori i Universitetit të Gracit, Florian Bieber, thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta bëjnë të mundur një marrëveshje të tillë.

Ai, madje, paralajmëron edhe më shumë përgjegjësi për veriun e Kosovës, që do të ishin përtej Planit Ahtisaari.

Florian Bieber

Florian Bieber

“Tani është se qartë se veriu do të fitojë më shumë sesa Plani i Ahtisaarit, që paraqet një lloj kompromisi nga Prishtina. Po ashtu, është e qartë se për Prishtinën do të jetë shumë e vështirë të pranojë diçka, nëse ajo nuk arrihet të shpjegohet se është kërkuar me ngulm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Pra, për të dy anët (Beogradin dhe Prishtinën) është e nevojshme që pala e tretë të thotë se një lloj kompromisi është i nevojshëm, sepse ata vetë nuk kanë fuqinë dhe dëshirën që të pranojnë kompromisin. Pikërisht për këtë arsye, është shumë e nevojshme që akterët ndërkombëtar edhe të bëjnë presion, por edhe të lënë hapësirë që zyrtarët në Prishtinë dhe Beograd të pranojnë kompromisin. Unë jam i bindur që kjo do të ndodhë”
, thekson Bieber për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, do të presin së shpejti në zyrat e tyre shefen e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, e cila sipas paralajmërimeve, pritet t’iu bëjë presion që të bëjnë koncesione në raport me njëra tjetrën, dhe të arrijnë një marrëveshje bazë që do të mundësonte normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Përgatiti: Fatmir Aliu
XS
SM
MD
LG