Ndërlidhjet

logo-print
Mbi 1600 zyrtarë shtetërorë janë verifikuar për të kaluarën e tyre nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, ndërsa shumë pak kanë rënë në testet e bëra.

Kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Florim Krasniqi, sqaroi të mërkurën para mediave se nuk mund të flasë me numra të saktë për numrin e atyre pjesëtarëve që janë verifikuar nga agjencia, dhe as të atyre që nuk janë lejuar të punojnë më në institucionet shtetërore.

Pas takimit që zhvilloi ky trup mbikëqyrës me drejtorin e Agjencisë, Bashkim Smakaj, u tha se janë të kënaqur me ecurinë e procesit të verifikimit të nëpunësve shtetërorë.

“Unë nuk i kam shifrat e sakta, një numër i vogël kanë rënë nga testi. Prej 1600, janë katër nivele, është e klasifikuara, konfidenciale, sekrete dhe tepër sekrete. Këto janë katër nivelet e verifikimit".

"Në konfidenciale, janë 1000 e sa njerëz që kanë kaluar nëpër proces, në sekrete janë 100 e diçka, nuk e di... në tepër sekrete, 5 më duket. Sa kanë rënë, numër i vogël, jo shumë”,
tha Krasniqi.

Kohë më parë, subjektet politike opozitare kanë ngritur zërin se ish-pjesëtarë të SHIK-ut mund të kenë kaluar në AKI, apo në institucione të tjera të rendit dhe ligjit dhe se kjo paraqet rrezik për sigurinë e vendit. Dyshim është ngritur edhe për praninë e shërbimeve të huaja në shërbimet kosovare të sigurisë.

Procesi i verifikimit të anëtarëve dhe kandidatëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, sipas kryetarit të Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e këtij trupi, zhvillohet nga mekanizmat brenda AKI-së.

Për këtë njësi, ky Komision parlamentar ka marrë garanci nga drejtori i AKI-së, se e bën punën në mënyrë profesionale dhe pa inate.

Ndryshe, zëvendëskryetari i këtij Komisioni parlamentar, Fadil Demaku, tha se procesi i verifikimit është një proces normal për të gjitha vendet, por se në Kosovë, refuzimi i një kandidati po bart pasoja.

“Ky proces, natyrisht se e ka ndjeshmërinë e vet, sepse në një formë, njerëzit verifikohen, dhe iu jepet vulë disa njerëzve se a janë të përshtatshëm apo të papërshtatshëm duke pasur parasysh disa nivele që njerëzit bartin, dhe kanë të bëjnë me informacione të klasifikuara. Kjo është krejt e natyrshme, këtë duhet ta kuptojnë të gjithë si shoqëri, se janë procese që duhet të kalohen”, theksoi Demaku.

Në mbledhjen e së mërkurës, Komisioni diskutoi edhe për dorëheqjen e zëvendësdrejtorit të AKI-së, Latif Merovcit.

Sipas anëtarëve të këtij komisioni, presidentja dhe kryeministri kanë pranuar dorëheqjen e Merovcit. Por, ata ngritën dilemën nëse zëvendësdrejtori ishte shkarkuar apo dorëhequr, meqë dorëheqja e tij nuk është parë, madje as nga drejtori i AKI-së, siç tha Florim Krasniqi.
XS
SM
MD
LG