Ndërlidhjet

BE bën "presion" për asociacionin mbi të dy palët


Vincent Degert
Vincent Degert
Shefi i delegeacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert ka thënë se në bisedimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës të dy palët duhet të bëjnë hapa përpara.

“Këto janë bisedimet e tyre. Ne i shohim ato si një mundësi të madhe, si një situatë ku të gjithë shkojnë ka zgjidhja”, ka thënë ai për gazetarët në një forum biznesi në Kopaonik.

Ai ka thënë se BE është aktive në këto bisedime, që sipas tij, synim kryesor kanë normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Ai ka thënë se ekzistojnë çështje si “energjia, telefonia, posta dhe natyrisht edhe veriu i Kosovës, për të cilat, të dy palët duhet të bëjnë përparim”.

Në pyetjen nëse po bëhet presion mbi Prishtinën, ai ka thënë se presion po bëhet në të dy palët që të arrihet marrëveshje.

“Ne e shohim këtë si një shans të madh që nuk duhet lëshuar”, u shpreh Degert.

Prishtina zyrtare pret që shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, të kërkojë nga të gjitha forcat politike që kanë përkrahur bisedimet me Beogradin, të mbështesin edhe marrëveshjen eventuale për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG