Ndërlidhjet

Kontestohet emërimi i Bedri Hamzës


Bedri Hamza
Bedri Hamza
Instituti Demokratik i Kosovës përmes një deklarate për media ka shprehur shqetësim "ndaj vendimeve të fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vendosjen e anëtarëve me libreza partiake në krye të institucioneve të pavarura dhe shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës".

"Zgjedhja e sotshme e z. Bedri Hamza për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës është në kundërshtim të plotë me nenin 140 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili shprehimisht thotë se: “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është institucion i pavarur i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës”", thuhet në deklaratë.

Aty thuhet po ashtu se edhe neni 6 i Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, ka përcaktuar pavarësinë dhe autonominë e këtij institucioni.

"Duke ditur që z. Hamza për një kohë të gjatë është anëtar dhe faktor i rëndësishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, zgjedhja e tij për Guvernator të Bankës Qendrore cenon kushtetutshmërinë dhe konceptin themelor të institucioneve të pavarura. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ngjashëm vepruan edhe para disa javëve, kur zgjodhën anëtarin e Këshillit të përgjithshëm të PDK-së, z. Blerim Rexha, për Kryesues të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit", thuhet në deklaratën e KDI-së.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamza, është zgjedhur guvernator i ri i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës.

Nga 67 deputetë sa kanë qenë në sallë, 58 nga ta kanë votuar për zotin Hamza.

Në kohën kur ka filluar përzgjedhja e guvernatorit, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes “ Vetëvendosje”, e kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tyre, me emërimin e Hamzës si guvernator, politizohet Banka Qendrore e Kosovës, apo siç është thënë, më emërimin e Bedri Hamzës, Banka qendrore e Kosovës mund të quhet si Banka e Partisë Demokratike.

Bedri Hamza, ka qenë ministër i Financave, ku nga kjo pozitë ka dhënë dorëheqje në janar të këtij viti. Ende nuk është zgjedhur ministri i ri i Financave.
XS
SM
MD
LG