Ndërlidhjet

Sëmundja e veshkave: Shkaktarët e heshtur


Matja e shtypjes së gjakut
Matja e shtypjes së gjakut
Dita Botërore e Veshkës është shënuar edhe në Kosovë. Kjo sipas profesionistëve shëndetësorë është bërë me qëllim të sensibilizimit dhe informimit të qytetarëve për sëmundjen e veshkës.

Kryetari i Shoqatës së nefrologëve, doktori Ymer Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë se veshkat janë organ që nuk japin simptoma kur sëmuren, andaj qytetarët duhet të kenë njohuri për shëndetin e tyre.

"Veshkat janë një organ heshtak dhe nuk kanë simptoma fort, andaj edhe duhet të mendojmë shumë dhe të gjithë qytetarët duhet ta marrin mesazhin se çfarëdo dhimbje në regjionin e veshkave, apo ënjtje të syve, duhet të paraqiten te mjeku", tha Elezi.

Por, sa kanë njohuri qytetarët për sëmundjen e veshkës, flasin ata vetë për Radion Evropa e Lirë.

"Nuk di shumë për sëmundjet e veshkave. Veç e di që është sëmundja më e rëndë që ekziston. Nëse hiqet ajo, e di që pa ta dhënë dikush nuk mund të jetosh pa të", u shpreh Safet Gashi, qytetar.

Edhe Daut Shaqiri, pohoi se pavarësisht asaj se ka lexuar për të marrë informacion për sëmundjet e veshkas, megjithatë nuk ka shumë njohuri për këtë çështje:

"Unë në fakt di pak për sëmundjen e veshkave, edhe pse kam lexuar dhe jam munduar të marr më shumë informacione, sepse mendoj se duhet pasur kujdes dhe t'i ruajmë veshkat për shkak se është organ i ndjeshëm".

Nefrologu Ibrahim Rrudhani bëri të ditur se janë dy faktorë që më së shumti atakojnë veshkat, hipertensioni dhe sëmundja e sheqerit.

"Kemi menduar që sot të matet tensioni dhe sheqeri te qytetarët dhe të informohen qytetarët, kryesisht moshat që janë të atakuara nga këta indikatorë. Një trajtim me dializë kushton, dhe më mirë është të parandalohet sesa të mjekohet, andaj kemi menduar që sot ta sensibilizojmë këtë çështje", sqaroi Rrudhani.

Ndërkaq, doktor Ymer Elezi thotë se aktualisht në botë çdo i dhjeti person vuan nga një formë dëmtimit në veshkë.

"Në bazë të disa statistikave, mendohet se 200 mijë vetë vuajnë nga një formë e një dëmtimi në veshkë. Fatkeqësisht, te ne pacientët vijnë me vonesë dhe shumica nga ta janë para dializës", tha Elezi.

Transplantimet e veshkave nuk mund të bëhen në Kosovë për shkak të mungesës së ligjit. Andaj, pacientët që kanë nevojë për transplantime, duhet të kërkojnë shërim jashtë vendit.
XS
SM
MD
LG