Ndërlidhjet

logo-print

Daçiq: Prishtina vështirë se do të lëshojë pe


Ivica Daçiq

Ivica Daçiq

Prishtina vështirë do të lëshojë pe sepse e ka mbështetjen e SHBA-së ka thënë kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq në një intervistë për Veçernje Novostin, duke komentuar bisedimet që po zhvillohen ne mes tij dhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit në Bruksel.

Ai ka thënë se në Bashkimin Evropian mendojnë se Serbia do të bëjë gjithçka është e mundur për të marrë datën.

Edhe pse disa media, por edhe vetë presidenti Tomisllav Nikolliq ka thënë se marrëveshja me Prishtinën është shumë afër, kryeministri Daçiq ka thënë se bisedimet kanë ngecur për shkak të kundërshtimit të Prishtinës, që të pranojë çfarëdo propozimi të Serbisë mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Marrëveshje nuk ka dhe nuk do të ketë derisa nuk sqarohet se si do të jetë ai asociacion”, ka thënë Daçiq për gazetën serbe, duke shtuar se Serbia dëshiron kompromis , por nuk pranon poshtërim.

Komentet e tij vijnë pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë dhe Beogard me zyrtarët shtetërorë, përfaqësuesja e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

“Ne kemi diskutuar veçanërisht për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe për domosdonë e finalizimit të diskutimeve dhe arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura, me theks të veçantë për veriun e Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundshme”, ka thënë baronesha Ashton në një deklaratë me shkrim, duke rikujtuar se do t’i raportojë Këshillit Evropian mbi marrëveshjet e arritura dhe zbatimin e tyre në muajin prill.

Në kuadër të zgjidhjes për veriun, shihet edhe krijimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, i cili ka ngjallur mospajtime mes Prishtinës dhe Beogradit.

Autoritetet kosovare kundështojnë çdo kompetencë legjislative dhe ekzekutive për të, ndërkohë që Beogradi kërkon përgjegjësi të tilla me ngulm.

Për këtë çështje pritet të bisedohet edhe në takimin e radhës Thaçi-Daçiq të caktuar për 20 mars.
XS
SM
MD
LG