Ndërlidhjet

logo-print

Reshjet e shiut shkaktojnë vërshime në Kosovë


Klinë, 15 mars 2013

Klinë, 15 mars 2013

Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nisur sot një operacion evakuimi në komunën e Klinës, në veri perëndim të Kosovës, pas vërshimeve të fuqishme që kanë pasur rreshjet e shiut ditën e enjte.

Gjendje më e rëndë është paraqitur në fshatin Zaim të kësaj komune.

Ali Uka zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në FSK thotë për Radion Evropa e Lirë se situata aktualisht ka filluar të qetësohet, ekipet janë ende në terren dhe po ndihmojnë qytetarët në nevojë.

Një ekip tjetër është dërguar gjithashtu edhe në Skënderaj.

Ekipet e shpëtimit të FSK-së në Zajm të Klinës.

Ekipet e shpëtimit të FSK-së në Zajm të Klinës.


"Të gjitha shtëpitë tashmë janë kontrolluar, duke shfrytëzuar barkat e FSK-së; qytetarët qysh në mëngjes i kanë lëshuar shtëpitë, të cilat janë vërshuar nga uji dhe nuk ka të ngujuar", ka thënë Uka.

Për një situatë më të qetë flet edhe Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

"Në Mitrovicë, lumenjtë Lushta dhe Sitnica kanë dalë nga shtrati, por nuk është paraqitur ndonjë rrezik".

"Në komunën e Skënderajt, ka qenë një gjendje më e rënduar, më saktësisht në fshatin Izbicë, ku edhe ka ndodhur rasti tragjik i mbytjes së një fëmijë 10 vjeçare"
, ka thënë Hoti.

Vajza 10-vjeçare ka rënë të enjten aksidentalisht në një përrua, i cili ishte rritur nga prurjet e mëdha të shiut.

Sipas Hotit, edhe në komunën e Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ka pasur telashe me vërshime dhe bllokim të rrugëve.

"Në komunën e Zubin Potokut kemi pasur rrëshqitje të dheut dhe bllokim të rrugës magjistrale, derisa në komunën e Leposaviqit një urë e cila ka qenë e kalueshme, që lidh dy fshatra të Leposaviqit është vërshuar dhe komunikacioni ka qenë i ndaluar gjatë natës për shkak të reshjeve. Por, sot kemi një gjendje të normalizuar, pasi që reshjet janë ndalur në këto zona dhe Departamentet e Menaxhimit të Emergjencave në nivel lokal kanë kryer detyrat e tyre", ka shpjeguar Hoti.

Vërshime nga reshjet e shiut ka pasur një ditë më parë edhe në Pejë, qendra e së cilës është përmbytur nga uji, e po ashtu edhe në Gjakovë, Deçan.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG