Ndërlidhjet

Ashton: Prishtina dhe Beogradi mund të pajtohen

  • RFE /RL

Catherine Ashton

Catherine Ashton

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka shfaqur bindjen se Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Mendoj se është e mundur të arrijnë marrëveshje. A janë të gatshme ose jo, do të varet prej asaj se a do të gjejmë mënyra për t’i tejkaluar disa probleme të vështira që ato kanë”, ka thënë Ashton.

Ajo po ashtu ka thënë se “shpreh respekt” për kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, që kanë qenë të gatshëm të ulen dhe të bisedojnë.

“Ata janë takuar gjashtë herë dhe do të takohen edhe të mërkurën”, ka thënë kryediplomatja evropiane, e cila njëherësh është ndërmjetësuese e dialogut Prishtinë-Beograd.

Kujtojmë se baronesha Ashton ka qëndruar të enjten në Prishtinë, ku ka takuar autoritetet e larta shtetërore të Kosovës, ashtu si edhe përfaqësues të opozitës, për të vazhduar më pas vizitën në Beograd.

Çështja, e cila dominon bisedimet Thaçi-Daçiq, aktualisht është ajo e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Palët kanë mosmarrëveshje rreth kompetencave që do të kishte ky mekanizëm. Beogradi këmbëngul në përgjegjësi legjislative dhe ekzekutive, ndërsa Prishtina i kundërshton fuqishëm ato.

Komentet e sotme, Ashton i ka bërë në Forumin e Brukselit. Ky i fundit është një takim vjetor i politikanëve më me ndikim, ekonomistëve dhe intelektualëve të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Në të flitet për sfidat me të cilat përballen vendet e të dyja anëve të Atlantikut.(v.t.)
XS
SM
MD
LG