Ndërlidhjet

Sistemi i arsimit është bërë arenë e korrupsionit dhe paaftësisë profesionale, konsiderojnë njohës të kësaj fushe. Sipas tyre, korrupsioni fillon që nga regjistrimi i fëmijëve në kopshte, e deri te niveli i lartë i arsimit, apo blerja e diplomave.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, tregon disa shqetësime që kanë përfshirë sistemin arsimor. Sipas tij, ka raste kur në universitet janë regjistruar studentë vetëm me shkollë fillore, me diploma të falsifikuara të shkollës së mesme, dhe sot janë në pozita të larta institucionale.

Shqetësim tjetër, sipas tij, është se studentët paguajnë provimet, si për një notë më të mirë, ashtu edhe për të marrë provimet. Me këto dukuri, thotë Hyseni, po atakohet e ardhmja e Kosovë.

“Korrupsion është kur ne pranojmë njerëz në studime, pa e përfunduar shkollën e mesme. Ata njerëz, meqenëse arsimi është komercializuar tej mase, përfundojnë studimet, ndoshta edhe pa hy në provime, po nëse i kanë edhe njerëzit e vet në pushtet, punësohen menjëherë. Kështu, i tërë procesi i zhvillimit të Kosovës, futet në një rreth vicioz, siç është futur, dhe nuk mund të dalë nga situata”, vlerëson Hyseni.

Edhe disa studentë pohojnë se korrupsioni ka përfshirë nivelin e lartë të arsimit.
Arbeni, i cili nuk dëshiron ta bëjë publik mbiemrin, për shkak të frikës nga, siç thotë ai, hakmarrja e profesorëve, është student në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.

Ai thotë se di raste kur studentët kanë kaluar provimet, a po kanë marrë notë të larta, për shkak se kanë pasur profesorët të njohur.
Kemi rastin e prodekanit të Fakultetit të Arkitekturës - ai nuk vë notën 10 asnjëherë, por në gjeneratën kur e ka pasur djalin e vet, ka vënë notën 10...

“Di edhe vetë raste kur me intervenim e ka përfunduar provimin. Kemi rastin e prodekanit të Fakultetit të Arkitekturës. Ai nuk vë notën 10, asnjëherë, por në gjeneratën kur e ka pasur djalin e vet, ka vënë notë 10-she. Diku dhjetë studentë në atë kohë kanë marrë notë 10. Thuhet se me intervenim e ka kryer edhe lëndën Teknologjia e Betonit”, thotë Arbeni.

Bekimi, është student në vitin e parë në Fakultetin Ekonomik. Edhe ai thotë se ka raste kur studentet kalojnë provimin pa mësuar. Ai, madje, tregon se këtë ofertë ia kanë bërë edhe këtij disa kolegë.

“Për nota njoh studentë që kanë kaluar, fare pa mësuar, pasi kanë të njohur në fakultet. Edhe mua më kanë thënë shko tek “iks personi”, për të marrë notë, por nuk kam pranuar, pasi mendoj se për të ardhmen është më mirë të mësoj”, tregon Bekimi.


Studentët nuk i paraqesin rastet

Edhe përfaqësues të studentëve pohojnë se perceptimet për këto dukuri edhe në universitet ekzistojnë, por mungojnë rastet konkrete për të dëshmuar.

Megjithatë, Arian Janova, nga Lista Studentore "Reforma", thotë se organizatat studentore kanë insistuar nga studentët që të paraqesin ankesë me shkrim lidhur me këtë çështje, por, sipas tij, studentët hezitojnë të japin emra.

“Vitin e kaluar Parlamenti i studentëve ka bërë një hulumtim sa i përket këtyre dukurive dhe ka dalë që ka prezencë të korrupsionit, por studentët nuk pranojnë të japin emra. Ka profesorë që shesin nota, ka studentë që hyjnë për kolegun e tyre në provim, ka studentë që me para punojnë temën e diplomës bachelor, temën e masterit".

"Mirëpo, ne nuk jemi organ kompetente që të marrin emra dhe ata nuk japin. Si dukuri në Universitetin e Prishtinës, ekzistojnë edhe në sistemin e lartë në përgjithësi”, thekson Janova.

Edhe zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk e përjashtojnë mundësinë e ekzistimit të korrupsionit në sistemin e arsimit, por, sipas tyre, deri më tani, palët nuk kanë paraqitur dëshmi.

Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Ragip Gjoshi, bën thirrje që nëse dikush ka fakte, t'i denoncojë ata.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

“Megjithatë ne kemi inspeksionin që bën mbikëqyrjen e të gjithë veprimtarisë së arsimit të lartë dhe mendoj se ka vend për shtimin e cilësisë. Por, përmes valëve të radios suaj, bëj thirrje që të gjithë ata që dinë për çështjen e korrupsionit brenda arsimit të lartë, t'i denoncojnë rastet, sepse këta ndihmojnë që arsimi ynë të qëndrojë në këmbë të shëndosha në të ardhmen”, shprehet Gjoshi.

Sidoqoftë, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thekson se arsimi në vend po nxjerr në pah korrupsionin, paaftësinë, ryshfetin dhe bllokimin e të gjitha shtigjeve për një arsim cilësor, si në nivelin e ulët, ahtu edhe në atë të mesëm dhe universitar.

Pasojat nga këto do të jenë shumë të mëdha, pasi, sipas tij, korrupsioni në arsim reflektohet në të gjitha fushat e jetës dhe të punës, që në të ardhmen mund të shkaktojë edhe krizë institucionale.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG