Ndërlidhjet

logo-print

SHBA rrit mbrojtjen nga Koreja e Veriut

  • RFE /RL

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duke votuar sanksionet shtesë ndaj Koresë së Veriut.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duke votuar sanksionet shtesë ndaj Koresë së Veriut.

Shtetet e Bashkuara do të vendosin më shumë interceptorë anti-raketorë në bregdetin perëndimor, për t’iu përgjigjur kërcënimeve bërthamore dhe raketore nga Koreja e Veriut.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë se plani, në vlerë prej 1 miliard dollarësh, synon t’i qëndrojë përballë kërcënimit veri-korean dhe përparimit të Iranit në teknologjinë e raketave balistike, me rreze të gjatë veprimi.

Chuck Hagel

Chuck Hagel

“Unë bëj publike një seri hapash që do të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara për t’iu qëndruar para sfidave që paraqesin aftësitë e Iranit dhe të Koresë Veriore në raketa balistike, me rreze të gjatë veprimi”, ka thënë Hagel.

Plani u bën thirrje Shteteve të Bashkuara që të shtojnë 14 interceptorë në perëndim. SHBA-ja tashmë ka 30 të tillë në Kaliforni dhe Alaskë.

Plani po ashtu parasheh instalimin e një stacioni të radarit në Japoni. Mbrojtja shtesë planifikohet të zërë vend në vitin 2017.

Hagel ka thënë se plani bën thirrje për anulimin e fazës finale të sistemit anti-raketor, që Shtetet e Bashkuara janë duke ndërtuar në Evropë. Ai plan ka përfshirë instalimin e interceptorëve në Poloni dhe ndoshta në Rumani.

Rusia ka kundërshtuar sistemin e mbrojtjes raketore në Evropë, duke shfaqur frikën se sistemi është i dizajnuar për t’iu kundërvënë raketave ruse.

Njoftimi i Hagelit ka pasuar kërcënimet e fundit të Phenjanit me sulme bërthamore ndaj Shteteve të Bashkuara.

Koreja Veriore ka kryer provën e tretë bërthamore muajin e kaluar, duke bërë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të forcojë sanksionet kundër saj.

Shqetësimet për aftësitë e Koresë së Veriut janë rritur edhe pasi shteti komunist ka përdorur raketën për të vendosur satelitin në orbitë, në muajin dhjetor.

Phenjani ka njoftuar, po ashtu, se ka ndërprerë marrëveshjen 60-vjeçare për armëpushim, e cila i ka dhënë fund luftës së Koreve.

Hagel ka akuzuar Veriun për “provokime të papërgjegjshme dhe të pamatura”.

“Shtetet e Bashkuara kanë sisteme të mbrojtjes raketore për t’u mbrojtur nga raketat interkontinentale balistike, por Koreja e Veriut, sidomos, ka shënuar përparim në aftësisë e saj dhe është angazhuar në një sërë provokimesh të papërgjegjshme dhe të pamatura”, ka theksuar agel.

Koreja e Veriut ka demonstruar se ka raketa që mund të godasin rivalët e saj, Korenë e Jugur dhe Japoninë. Por, ajo nuk ka treguar ende se ka aftësi për të lëshuar raketa që do të arrinin Shtetet e Bashkuara.(v.t.)
XS
SM
MD
LG