Ndërlidhjet

Thellohet ndarja etnike në fushatën elektorale


Maqedoni (Foto nga arkivi)
Maqedoni (Foto nga arkivi)
Fushata elektorale e partive politike për zgjedhjet lokale të 24 marsit, ka marrë dimensionin etnik, si asnjëherë më parë.

Nxitjet etnike ndërmjet partive kanë të bëjnë kryesisht me qytetet e Strugës dhe Kërçovës, të banuar me popullatë shqiptare dhe maqedonase.

Një deklaratë e kandidatit shqiptar për Kërçovën, Fatmir Dehari, se pas 24 marsit, në Maqedoni do të krijohet një vijë administrative nga Struga e deri në Kumanovë, që do të flasë në gjuhën shqipe, ka nxitur reagimin e ashpër të kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili i sugjeroi jo vetëm Fatmir Deharit të BDI-së, me të cilën është në koalicion, por edhe të tjerëve se mund të shkojnë në Shqipëri nëse nuk duan të jetojnë në Maqedoni.

Sipas Gruevskit, edhe Struga edhe Kërçova kanë qenë dhe do të mbeten të maqedonasve dhe të tjerëve që jetojnë atje.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se retorika e këtillë bëhet për qëllime politike, por në vete bart edhe rreziqe të mëdha me pasoja të paparashikueshme për vendin.

Këto paranoja etnike mund të nxisin edhe ndonjë konflikt më serioz nëse vazhdohet me deklarata etno-nacionaliste, siç ishte rasti me deklaratat e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së në Strugë dhe Kërçovë, që kishin tone të ashpra nacionaliste".

"Kjo mënyrë e udhëheqjes së fushatës, kjo garë etnike mund të rezultojë me ndonjë destabilizim apo me ndonjë konflikt më serioz ndëretnik. Mendoj se u bë gabim që kjo garë mori tone etnike, pasi zgjedhjet lokale janë zgjedhje ku nxirren oferta shumë praktike për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike“
, thotë analisti Xhelal Neziri.

Ndërsa, duke komentuar fjalorin e tillë nxitës, Vlladimir Bozhinovski, nga Instituti për Hulumtime Politike, thekson:

“Kjo, në një mënyrë e reflekton atë që ndodhi në vitin 2011, kur kishim një fushatë zgjedhore shumë negative, me goditje të ulëta për kundërshtarët politikë, që rezultoi me një dalje më të madhe në votime dhe kjo është ajo që u sjell partive përfitime, të cilat edhe janë në interesin e tyre. Por, në fund do të shihen nëse ata do të përfitojnë apo ndoshta do të ndodhë e kundërta”.

Bozhinovski shton se tensionet janë edhe pasojë e krizës politike që nisi nga ngjarjet e fundit në Kuvend.

“Një fushatë e këtillë u imponua edhe nga bojkoti i opozitës kështu që këtyre zgjedhjeve më shumë u jepet karakteri i zgjedhjeve parlamentare që nuk është në rregull. Pikërisht për shkak të kësaj, tani më shumë u jepet rëndësi çështjeve nacionale. Unë edhe më parë kam tërhequr vërejtjet se çështjet nacionale nuk duhet të keqpërdoren në fushatat e partive politike”, shprehet Bozhinovski.

Nga ana tjetër, Xhelal Neziri, nuk përjashton mundësinë që nxitjet etnike të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve lokale.

“Mund të jetë edhe ndonjë uverturë e ndonjë procesi politik, i cili është i projektuar në agjendat e partisë maqedonase në pushtet, siç mund të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare apo diçka të ngjashme, që do të vinin si rezultat i prishjes së mundshme të koalicionit me BDI-në, pasi rezultati në Kërçovë gjithsesi do të ndikojë në marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit në Qeveri”, thotë Neziri.

Ndërkohë, fushata e partive politike po përcillet me vëmendje edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar në vend, të cilët, kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe heqje dorë fushata nxitëse.

“Shpresoj se thirrjet e partive politike, të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të faktorëve tjerë në vend, do të merren parasysh pasi zgjedhjet lokale kanë të bëjnë me çështjet lokale", deklaron Kristofer Ivon, ambasador i Britanisë së Madhe, që ka mbështetur Kodin e mirësjelljes, të cilin e kanë nënshkruar një pjesë e kandidatëve të partive që garojnë për kryetar të komunave në zgjedhjet e 24 marsit.
XS
SM
MD
LG