Ndërlidhjet

Pak përparime dhe më shumë ngecje drejt MSA-së


Ilustrim

Ilustrim

Kosova duhet të tregojë më shumë përkushtim dhe seriozitet në përmbushjen e kritereve afatmesme në kuadër të procesit të negocimit për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit, thuhet në një studim të Grupit për Studime Juridike të prezantuar në Prishtinë.

Në këtë studim thuhet se Kosova ka përmbushur kërkesat apo kriteret afatshkurta të parashtruara nga Komisioni Evropian, por jo edhe ato afatmesme.

Dren Doli nga ky Grup, tha gjatë një konference për media se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më serioze në zbatimin e kritereve të Komisionit Evropian, nëse synon që sivjet të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit, e njohur si MSA.

“Raporti tregon që Kosova nuk ka bërë progres, dhe për më tepër, ka ngecje të theksuara në përmbushjen e kriterit të reformimit dhe depolitizimit të administratës publike, të konsolidimit të gjendjes së zbatimit të ligjit dhe efektshmërisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës së gjyqësorit, lirisë së shprehjes dhe të dizajnimit të një strategjie të komunikimit me qytetarët e veriut të Kosovës”, tha Doli.

Për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, Kosova është trajtuar në mënyrë të veçantë në proceset integruese evropiane.

Grupi për Studime Juridike e Politike

Grupi për Studime Juridike e Politike

Madje, vetë zyrtarët në Prishtinë kanë potencuar disa herë që krahas përmbushjes reformave në të gjitha fushat të kërkuara nga Komisioni Evropian, për Kosovën do të jetë e rëndësishme të shënojë edhe përparime në dialogun politik me Serbinë, që të përshpejtojë në caktimin e datës së negocimit për MSA-në.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, deputeti Lutfi Haziri tha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë se pritet që më 19 mars Kosovën ta vizitojë edhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Stephan Fule.

Ndërkaq, nuk e mohoi që Brukseli do të vlerësojë edhe përparimet në dialog krahas përmbushjes së kritereve tjera.

“Dialogu Prishtinë-Beograd është dialogu më i rëndësishëm, i cili i jep inpute dhe zhvillime pozitive procesit të Stabilizim-Asociimit, si dhe liberalizimit të vizave. Ne duhet të konstatojmë që kërthiza e krejt këtij procesi është rezultati i arritur në dialogun në Bruksel”, u shpreh Haziri.

Deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, si hapi i parë drejt integrimit në BE, vendet aspiruese mund të kalojnë edhe 1 apo 2 vjet tjera në negociata me Brukselin.

Sidoqoftë, në studimin e prezantuar të shtunën nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thuhet po ashtu se gjendja aktuale e qeverisjes nuk garanton që Kosova do të mund ta përmbyll negocimin e MSA-së për një kohë të shkurtër, për aq kohë sa institucionet e Kosovës nuk tregojnë gatishmëri në zbatimin e reformave kyçe në administratën publike, gjyqësor dhe mekanizmat institucionalë anti-korrupsion.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG