Ndërlidhjet

logo-print

Daçiq: Larg marrëveshjes me Prishtinën


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Beogradi dhe Prishtina janë larg marrëveshjes për kompetencat e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, sepse “Serbia kërkon përgjegjësi ekzekutive për të, ndërsa pala kosovare nuk pranon”.

“Ata nuk pranojnë që asociacioni i komunave serbe të ketë kompetenca ekzekutive. Na mbetet të shohim nëse ka mundësi për arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Ne nuk kemi ku të lëshojmë më pe. Nuk gënjejmë dhe e themi hapur. Marrëveshja është e mundur, por jemi ende larg saj”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Nish.

“Nëse dikush mendon se serbët në Kosovë do të botojnë revista dhe kjo është kompetencë e mjaftueshme, atëherë jemi larg marrëveshjes”, ka shtuar Daçiq.

Për këtë çështje është biseduar dhe pritet të diskutohet edhe në raundin e ardhshëm të dialogut ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, të planifikuar për 20 mars.

Po sot, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila njëherësh është ndërmjetësuese e dialogut, është shprehur optimiste se Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
XS
SM
MD
LG