Ndërlidhjet

Pa pajtim, “s’ka integrim të Serbisë dhe Kosovës”


Ilustrim
Ilustrim
Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Parlamentin e Gjermanisë, Ruprecht Polenz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve nëse duan të avancojnë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Nëse Serbia nuk do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, ato nuk mund t’i bashkohen BE-së. Kjo është shumë e thjeshtë. Por, deri tani Serbia nuk është e gatshme ta bëjë këtë”, ka thënë Polenz në Forumin e Brukselit.

“Secili vend ka të drejtë të zgjedhë aleancën e tij, është e vërtetë. Por, është po ashtu e vërtetë për ne, si anëtarë, se nuk duam të ndjekim një politikë, e cila, le të themi, sjell probleme në sigurinë e përgjithshme”, ka shtuar Polenz.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Serbia vazhdon të kundërshtojë fuqishëm shtetësinë e saj.

Dy vendet janë duke zhvilluar bisedime në nivel kryeministrash, të cilat kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Gjermania ka qenë në mesin e vendeve më të zëshme që i kanë bërë thirrje Serbisë të normalizojë raportet me Kosovën, duke kushtëzuar përparimin e saj integrues me largimin e strukturave serbe nga pjesa veriore e Kosovës.
XS
SM
MD
LG