Ndërlidhjet

Maqedonia ka humbur pothuajse 30 për qind të kuadrit me arsimim të lartë, derisa më shumë se tre të katërtat e kuadrit akademik dëshirojnë të largohen nga vendi.

Këto janë rezultatet e hulumtimit në kuadër të propozim-strategjisë kombëtare të Qeverisë së Maqedonisë, përmes së cilës synohet ulja e tendencës së ikjes së gjeneratave më të reja nga vendi.

Organizatat e ndryshme të të rinjve thonë se përmes këtyre nismave, të cilat kryesisht mbeten vetëm në letër, nuk mund të ndryshohet realiteti në Maqedoni.

Marija Zabërçanc nga Forumi për arsimimin e të rinjve, thotë se autoritetet shtetërore shumë vonë janë kujtuar të marrin masa konkrete për këtë çështje.

"Dy problemet kryesore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ikje e asaj që thuhet 'truri' i një shteti është punësimi partiak dhe kualifikimi i pamjaftueshëm gjatë studimeve në universitetet e vendit që nuk mundëson të rinjtë të marrin kualifikime praktike që do t'u hynin në funksion gjatë ushtrimit të profesionit”, thotë Zabërçanc.

Derisa shumica e të rinjve shqiptarë preferojnë vendet e Evropës dhe të Amerikës së Veriut, pjesa dërmuese e maqedonasve udhëtojnë drejt Australisë dhe Zelandës së Re.

Studentët e anketuar thonë se pak besojnë se në Maqedoni mund të kenë sukses për t'u dëshmuar profesionalisht.

“Nuk është se shohim shumë perspektivë, për shkak të politizimit të skajshëm të shoqërisë. Gjatë procesit zgjedhor jepen shumë premtime për punësime dhe pasi të mbarojnë zgjedhjet, gjendja e të rinjve mbetet e njëjtë. Ata që janë më të mirët mundohen të gjejnë mundësi që dijen e tyre ta shprehin jashtë vendit, për të siguruar të ardhura më të mira”, shprehet Besart Emini, i cili ka diplomuar në Gjuhë latine. Edhe pse në një degë specifike të Fakultetit Filologjik, Besarti thotë se nuk arrin të marrë vendim pune në ndonjë nga institucionet arsimore.

Bujar Adili, student në Fakultetin juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, thotë se nuk i pëlqen që perspektiva e të rinjve është e varur nga pjesëmarja në politikë.

"Ardhmëria jonë? Nga ajo që kemi ëndërruar si të rinj, shumë pak mund të realizohet. Rinia shqiptare këtu, pasi t`i kryejë studimet shumë vështirë e ka të gjejë punë. Mund të punësohet vetëm nëse është krahu i djathtë i një partie politike, përkatësisht i asaj që është në pushtet. Përndryshe, ka shumë të rinj që kanë kryer studimet në ndonjë fakultet të vështirë dhe kryejnë punë private me një pagë sa për të mbijetuar”, thotë Bujari.

Ndërkaq, Kadir Jetullahu, student i Kimisë, thotë se ka zgjedhur këtë profesion specifik me shpresë se mund të gjejë punë më lehtë:

“Po shpresoj se do ketë ndryshime, se do të bëhet më mirë për ne, edhe pse të them të drejtën shpresat janë jo aq të mëdha, sepse të gjithë ata që kanë kryer studimet e Kimisë, nuk arrijnë të gjejnë punë dhe angazhohen në diçka krejtësisht tjetër nga profesion i tyre. Kjo ka bërë që të rinjtë të mendojnë më shumë për të shkuar jashtë vendit sesa të mbeten këtu dhe të ndërtojnë një karrierë profesionale”.

E, Rinisa Rexhepi, e cila është balerinë, mendon ta ndryshojë profesionin, sepse siç shprehet ajo, arti nuk vlerësohet.

“Po dëshiroj të vazhdoj me artin, por diku jashtë Maqedonisë. Nëse kjo nuk realizohet, atëherë do ta ndërpres shkollimin për këtë profesion, pra atë të balerinës dhe do të studioj sigurisht gjuhët e huaja, sepse më lehtë gjendet punë”, tregon Rinisa, duke shtuar se nevojitet një bashkëpunim më i madh mes të rinjve për të bërë ndryshime:

“Do të ishte mirë të mblidheshin të rinjtë dhe bashkërisht të ndërmarrin një nismë që të ndryshohet kjo gjendje e vështirë, e pa shpresë për të ardhmen e tyre. Unë mendoj se më mirë do të ishte që të rinjtë të zgjedhin sfidën të ndryshojnë situatën dhe jo të ikin nga vendi”.

Ndërsa, Agon Abdullahu studion në Gjuhën maqedonase në Universitetin Shën Qirili dhe investimin në dije e quan si “investim në tokë pjellore” sa i përket Maqedonisë

“Këtu asnjë institucion i lartë arsimor nuk arrin që të formësojë profesionistë të mirëfilltë në degë të caktuara për të qenë konkurrent në tregun e punës”, konsideron Agoni.

Nga ana tjetër, sociologët dhe ekonomistët vlerësojnë se nëse së shpejti nuk gjendet një zgjidhje sa i përket hapjes së vendeve të reja të punës, shumë të rinj, por edhe kuadrot më të mira, do të largohen nga Maqedonia.

“Të rinjtë kanë ndjenjën se një kohë të gjatë do të mbeten pa punë, se maltretohen se nuk do të mund t'i realizojnë synimet profesionale etj, dhe në fakt kjo është dhe realitet. Madje, për mua ky hap që po e ndërmerr Qeveria gjatë kohës që vendi përballet me proces zgjedhor, për mua është edhe më i dyshimtë. Pra, na bëhet me dije se diçka nuk shkon dhe se duhet ndryshuar", vlerëson Iliaja Acevski, sociolog.
XS
SM
MD
LG