Ndërlidhjet

Mekanizma dhe afate për zbatimin e marrëveshjes me Beogradin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Prishtina zyrtare insiston që Beogradit t’i përcaktohen datat dhe afatet e zbatimit të marrëveshjes eventuale për normalizimin e gjendjes në veri.

Sipas këtij pozicioni, Beogradi do të duhet të dëshmonte se po zbaton marrëveshjen me Prishtinën para se Brukseli t’i konfirmojë Serbisë datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bisedimet Prishtinë - Beograd po zhvillohen në Bruksel në nivel kryeministrash dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, thotë se është normale në negociata që një palë të dyshojë te tjetra kur është në pyetje zbatimi.

Andaj edhe në këtë rast Kosova, sipas tij, po tregohet e kujdesshme që nënshkrimi eventual i marrëveshjes të mos jetë vetëm në funksion të marrjes së datës për anëtarësim në BE, por edhe në funksion të qëllimit të negociatave e që ka të bëjë me shuarjen e strukturave paralele dhe vendosjen e normalitetit në veri të Kosovës.

Pala kosovare ka shqetësime, që është e natyrshme. Shqetësimet janë që Serbia e bënë këtë dialog vetëm sa për të marrë datën për negociata për anëtarësim në BE dhe nuk ka interesim për zbatim të marrëveshjeve. Ne kërkojmë që të krijohen format e implementimit. Tash do t’i kemi edhe zyrat ndërlidhëse, por Bashkimi Evropian do t’i ketë mekanizmat për përcjelljen dhe zbatimin e marrëveshjeve. Pa marrë parasysh se sa ka dykuptimësi, marrëveshjet duhet të zbatohen”, ka thënë Tahiri.

Në mekanizmat zbatues, përveç Bashkimit Evropian si garantues, do të përfshihen edhe delegacionet e të dyja shteteve, thotë Tahiri.

Sipas tij, marrëveshjet do t’i kenë edhe datat e afateve, por një vlerësim i parë i zbatimit do të duhej të bëhej para se Serbia të fitonte eventualisht datën e negociatave për anëtarësim në BE.

Edhe Bekim Çollaku, këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi potencon rëndësinë që ka përcaktimi i fazave implementuese të marrëveshjeve përmes anekseve ku palët i japin zotimet e tyre se atë që kanë firmosur edhe do ta zbatojnë.

Gjëja më e rëndësishme që ndërlidhet me marrëveshjen eventuale që mund të rezulton si përfundim i këtij procesi është aneksi që ka të bëj me implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. Fakti që mund të ketë një marrëveshje të shtruar në fund të këtij procesi është një gjë e mirëseardhur për neve, sepse vet qëllimi i procesit ka qenë që të rezulton me një marrëveshje”, ka thënë Çollaku.

Por, përveç Prishtinës dhe Beogradit, një faktor tjetër me rëndësi për zbatimin e marrëveshjeve, sidomos asaj për veriun e Kosovës, është edhe komuniteti serb që jeton në komunat veriore.

Disponimi aktual politik i liderëve të veriut është në kundërshtim të plotë me atë që po bisedojnë Prishtina dhe Beogradi në Bruksel.

Marko Jakshiq njëri nga liderët e veriut thotë se komunat veriore nuk pranojnë që të hyjnë në kuadër të institucioneve dhe kushtetutës së shtetit të Kosovës.

Sipas tij, askush nuk do të mund t’i detyroj serbët e veriut që të ndahen nga Serbia.

Ne nuk do t’i ndërrojmë institucionet e shtetit serb me ato të shqiptarëve në Prishtinë. Nuk do të ndërrojmë shtetin për një lloj autonomie apo çfarëdo rajoni. Madje edhe në rast se Beogradi pranon një gjë të tillë, atëherë serbët e veriut të Kosovës do të shpallin autonominë përbrenda Serbisë, por me institucionet e shtetit serb”, ka thënë Jakshiq.

Për zbatimin e marrëveshjeve me Beogradin, në disa raste ka folur edhe kryeministri Thaçi.

Mes tjerash ai ka deklaruar se pozicioni i Prishtinës në bisedime është që pas arritjes eventualisht të marrëveshjes finale, parlamentet e Kosovës dhe Serbisë ta bëjnë ratifikimin si dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian të mbajë takime mujore të përbashkëta me të dyja palët për të siguruar mbarëvajtjen dhe zbatimin e marrëveshjes në terren.
XS
SM
MD
LG