Ndërlidhjet

Obama: Palestinezët meritojnë shtet të pavarur

  • RFE /RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se ndërtimet izraelite në Bregun Perëndimor nuk janë “të përshtatshme” dhe nuk e avancojnë “kauzën e paqes”.

Ai i ka bërë këto komente në Ramallah, në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Autoritetetit Palestinez, Mahmud Abbas.

Populli palestinez meriton fundin e pushtimit dhe të padrejtësive të përditshme që u shkakton ai. Palestinezët meritojnë të lëvizin dhe të udhëtojnë lirshëm, si dhe të ndjehen të sigurt në komunitetet e tyre. Ashtu si njerëzit e tjerë gjetkë, palestinezët meritojnë një të ardhme të shpresës se të drejtat e tyre do të respektohen, se e ardhmja do të jetë më e mirë se e sotmja dhe se mund t’iu sigurojnë fëmijëve një jetë të dinjitetshme dhe të mundësive. Thënë thjesht, palestinezët meritojnë shtetin e tyre”, ka thënë Obama.

Edhe Obama, edhe Abbas kanë thënë se paqja midis palestinezëve dhe izraelitëve është e mundur, porse duhet të zgjidhen probleme të rëndsishme.

Presidenti amerikan ka riafirmuar mbështetjen për një shtet palestinez, por ka pranuar se ndërtimi i vazhdueshëm i vendbanimeve hebraike dhe burgosja e palestinezëve në burgjet izraelite paraqesin pengesa të vështira për paqen.

Shtetet e Bashkuara mbesin të angazhuara në realizimin e vizionit të dy shteteve, i cili është në interesat e popullit palestinez, por edhe në interesat e sigurisë kombëtare të Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe botës”, ka thënë Obama, për të ritheksuar se “SHBA-ja do një shtet të qëndrueshëm palestinez, krahas shtetit hebraik të Izraelit.

Bisedimet për paqe janë ndërprerë në vitin 2010, pas kundërshtimit të palestinezëve ndaj zgjerimit të vendbanimeve izraelite në tokën që palestinezët e duan për shtetin e tyre. Izraeli ka bërë thirrje për rifillimin e bisedimeve pa parakushte.

Presidenti Obama ka theksuar rëndësinë e rikthimit të palëve në tavolinën e negociatave.

Nëse rikthehen negociatat direkte, besoj se forma e marrëveshjes potenciale ekziston. Nëse të dyja palët bëjnë atë hap së bashku, besoj se do ta mbështesin jo vetëm populli izraelit dhe palestinez, por edhe bota edhe rajoni do të gëzojë”, ka thënë Obama.

Presidenti i SHBA-së ka arritur në Ramallah të enjten, pas qëndrimit në Izrael dhe bisedimeve me zyrtarë të lartë të këtij vendi, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Ai po ashtu ka thënë se sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, do të kalojë shumë kohë duke bërë përpjekje për të shuar dallimet midis palestinezëve dhe izraelitëve.(v.tela)
XS
SM
MD
LG