Ndërlidhjet

Rreth një e treta e popullatës në botë është e infektuar nga tuberkulozi. Sipas profesionistëve shëndetësorë, çdo 10 sekonda, një person vdes në botë nga tuberkulozi dhe një i prekur nga kjo sëmundje mund të infektojë 10 deri në 15 njerëz brenda një viti.

Në Kosovë, gjatë vitit 2012 janë regjistruar 968 raste me tuberkuloz. Rukije Mehmeti, pulmologe, njëherësh zyrtare për tuberkuloz në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se tuberkulozi po shënon trend të rritjes në Kosovë.

“Numri i të sëmurëve me tuberkuloz për vitin 2012 është 968, që krahasuar me vitin e kaluar, ka treguar një rritje. Mund të them se për trajtimin e kësaj sëmundjeje kemi barna, të cilat janë falas dhe mund të bëhet trajtimi dhe diagnostikimi i tuberkulozit. Kosova ka një anë pozitive, sepse popullatën e kemi të re në moshë - rreth 50 për qind e popullatës është nën moshën 25 vjeçare - kurse nga tuberkulozi atakohen personat mbi 65 vjeç, që numërohet si sukses i programit”, thotë Mehmeti.

Projekti i Fondit Global në Kosovë, paraqet mbështetjen kryesore në luftën kundër tuberkulozit. Shuma e Fondit Global që i dedikohet Kosovës, është 5 milionë dollarë për 5 vjet. Sipas zonjës Mehmeti, edhe spitali i mushkërive në Pejë ka ndikuar pozitivisht në trajtimin e pacientëve.

“Tani kemi edhe spitalin e mushkërive në Pejë dhe ne kemi barna për këta të sëmurë që kanë formë rezistente të sëmundjes së tuberkulozit, e që deri tani nuk e kemi pasur këtë mundësi”, shpjegon Mehmeti.

Ndërkaq, Ilir Begolli, zyrtar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se sa i përket analizimit të gjendjes shëndetësore, ky institut ka kapacitetet ekzistuese që ta monitorojë tuberkulozin, pasi që, sipas tij, tashmë kjo sëmundje është e njohur dhe ekzistojnë të dhëna.

“Nga perspektiva e promovimit dhe edukimit shëndetësor, IKSHP-ja i ka zhvilluar kapacitet e veta në tërë Kosovën dhe ka aktivitete edukativo- shëndetësore, të cilat janë të mjaftueshme sa i përket informatave, jo vetëm për pacientët e sëmurë, anëtarë të familjes së tyre, por edhe për qytetarët në përgjithësi”, thekson Begolli.

Edhe zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë theksojnë faktin se tuberkulozi edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet kërcënim serioz për shëndetin publik global.

Skënder Syla, udhëheqës i zyrës së OBSH-së në Kosovë, deklaron se viteve të fundit janë shfaqur edhe forma shumë rezistente gjatë trajtimit ndaj tuberkulozit.
Kërkohet nga vendet që të krijohen sisteme adekuate shëndetësore në mënyrë që të identifikojnë me kohë të sëmurët, t’i trajtojnë në mënyrë adekuate...

“Kërkohet nga vendet që të krijohen sisteme adekuate shëndetësore në mënyrë që të identifikojnë me kohë të sëmurët, t’i trajtojnë në mënyrë adekuate dhe t’i ofrojnë të gjitha shërbimet e duhura në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtutjeshme e tyre”.

“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në drejtim të kontrollit të tuberkulozit. Gjatë muajit të ardhshëm OBSH-ja do të realizojë edhe një mision lehtësues për shqyrtimin e programit të tuberkulozit, ku do të dilet me rekomandime konkrete për përmirësimin eventual të fushave që duhet bërë”,
sqaron Syla.

Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse, e cila nga personi i sëmurë tek ai i shëndoshë përhapet përmes ajrit, pështymës, teshtitjes dhe kollitjes.

Shenjat e paraqitjes së tuberkulozit janë, plogështia, zbehja, humbja e oreksit si dhe temperatura e lartë.

Ndryshe, 24 Marsi është Dita Botërore e Tuberkulozit, e që në Kosovë do të shënohet me aktivitete të ndryshme.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG