Ndërlidhjet

FIFA vë Blater-in ndërmjet Kosovës dhe Serbisë


Ilustrim

Ilustrim

Komiteti ekzekutiv i Federatës Botërore të Futbollit - FIFA, nuk është tërhequr nga vendimi i saj që Kosova nuk mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore pa lejen e Federatës së Futbollit të Serbisë, por megjithatë e ka caktuar kreun e kësaj organizate Sep Blater që të ndërmjetësojë lidhur me këtë çështje.

Këtë lajm e pohoi sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Blater e ka bërë të ditur në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s, përmbajtjen e letrës së kryeministrit të Kosovë, Hashim Thaçi, i cili kohë më parë ia kishte dërguar atij, me kundërshtimin ndaj vendimit të FIFA-s që Kosova të marrë leje nga Serbia për ndeshjet ndërkombëtare miqësore.

“Zoti Blater tha se është diskutuar gjerë e gjatë kjo çështje. Të them të drejtën, ka pasur tema shumë të rënda për çështjet organizative të FIFA-s dhe UEFA-s, por megjithatë është diskutuar dhe është vendosur që vetë zoti Blater të autorizohet ng Komiteti Ekzekutiv që të bëj përpjekje që të flas me palën serbe, por edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Salihu.

Pavarësisht shpresave, të cilat ishin para takimit se çështja do të vendosej pozitivisht për Kosovën, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, patën shprehur rezervat.

Malsor Gjonabalaj, këshilltar i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë, se megjithatë, Kosova do të vazhdojë të insistojë për të përfituar të drejtën, që sipas tij është legjitime.

“Mbetet që të shohim dhe po ashtu, ne nuk do të ndalemi për asnjë çast dhe do të mundohemi, qoftë në rrafshin politik-diplomatik, por qoftë edhe në kontekstin profesional, që t’i bindim që është e drejtë e jonë elementare që të luajmë jo vetëm ndeshje miqësore, por edhe që të jemi anëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s”, u shpreh Gjonbalaj.

Megjithatë, Salihu, theksoi se vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s nuk e sheh krejtësisht të pashpresë për Kosovën.

“Unë mendoj se është pozitive, për arsye se zoti Blater i di mirë dhe qartë pozicionet tona dhe do të kemi rastin që, nëse takohemi me palën serbe, t’i transmetojmë faktet tona dhe t'u themi që Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka qenë kurrë pjesë e Federatës së Futbolli të Serbisë, por e Federatës së Futbollit jugosllav dhe me të drejta të barabarta. Prandaj, aty argumentet janë në anën tonë dhe dihet që ne nuk do të pranojmë kurrfarë kushti tjetër që shkel autoritetin e federatës së Futbollit të Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, deklaroi Salihu.

Salihu shprehu besimin se FIFA e ka vullnetin e mirë që t’i pranojë kërkesat e Kosovës, por sipas tij, Federata Evropiane e Futbollit – UEFA, në krye me Platinin, është një lloj opozite dhe po ju shërben më shumë interesave serbe e ruse dhe të tjera, të cilat e kundërshtojnë pranimin e Kosovës në këta mekanizma ndërkombëtar të futbollit.

Në anën tjetër, në kuadër të bisedimeve të cilat po zhvillohen ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Daçiq, nëse arrihet një marrëveshje eventuale, pritet që ajo të përmbajë edhe një nen ku të dyja vendet zotohen se nuk do ta pengojnë anëtarësimin e njëra tjetrës në organizmat ndërkombëtarë. Kjo, në një mënyrë do t’ia lehtësonte Kosovës procesin për pranim në mekanizmat ndërkombëtar të sporteve dhe në këtë rast edhe të futbollit.

Gjonbalaj vlerëson se një gjë e tillë do të ishte pozitive, por pavarësisht nga kjo, siç thotë ai, tash për tash , parimet sportive janë duke u shkelur nga mekanizmat ndërkombëtarë të futbollit, si dhe rrjedhimisht janë duke u shkelur edhe të drejtat elementare njerëzore.

“Sigurisht që edhe bisedimet e bëjnë të veten. Mirëpo, pa dyshim që parimet sportive janë duke u shkelur. Pra, kjo nuk ka të bëj në mënyrë absolute as me bisedimet, por është një e drejtë elementare, është një e drejtë statutare, ku FIFA duhet të lejojë ndeshjet miqësore dhe për më tepër, duhet të ketë parasysh një komunitet të tërë futbollistik në Kosovë, që ka mbetur i izoluar tash e sa kohë”.

“Në këtë drejtim, mendoj që FIFA duhet të ketë parasysh të drejtën elementare njerëzore që t’i lejojë njerëzit, t’i lejojë të rinjtë që të luajnë futboll dhe të edukohen përmes sportit dhe, po ashtu, të krijojmë ura lidhëse edhe me fqinjët që i kemi këtu, por edhe më gjerë”,
vlerësoi Gjonbalaj.

Ndryshe, kohë më parë, zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, patën paralajmëruar se në rast se futbollit kosovar nuk i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore sipas kërkesave të tyre, ata do ta shqyrtojnë edhe mundësinë që anëtarësimin në FIFA dhe UEFA ta fitojnë përmes Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG