Ndërlidhjet

SHBA do "më shumë përparim" në dialogun Kosovë-Serbi


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Michael Kirby.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Michael Kirby.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Michael Kirby, ka thënë se duhet arritur më shumë përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe se rasti për këtë do të jetë në takimin e ardhshëm të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, i cili do të mbahet më 2 prill.

“Ne nuk themi se është e nevojshme që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës. Ne insistojmë në normalizimin e marrëdhënieve. E dimë se është vështirë, por ky është një rast që disa gjëra të mbeten pas nesh, që të ecet drejt integrimeve evropiane dhe të përqendrohemi në ekonominë, e cila në këtë moment nuk është aq e mirë”, ka thënë Kirby për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Është e rëndësishme të theksohet se bota në të cilën jetojmë, është bërë shumë e komplikuar; aty janë problemet me Sirinë dhe Korenë e Veriut, problemet në Evropë me bankat e Qipros… Shtetet e Bashkuara janë të impresionuara me faktin se BE-ja, me në krye Catherine Ashtonin, ndan kaq shumë kohë për t’i ndihmuar Serbisë që të anëtarësohet në bllok. Kjo, për mua, është një mundësi reale për Serbinë”, ka thënë Kirby.

Kryeministrat Thaçi dhe Daçiq kanë zhvilluar të mërkurën në Bruksel rrethin e shtatë të bisedimeve, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Të dy zyrtarët kanë thënë se është shënuar përparim në dialog, por jo edhe marrëveshje.

Palët kanë mospajtime rreth një asociacioni të komunave serbe në Kosovë që do të zgjidhte problemin e strukturave paralele të Serbisë në vend.

Beogradi do kompetenca ekzekutive për këtë organ, por Prishtina kundërshton fuqishëm.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në procesin e integrimit evropian.
XS
SM
MD
LG