Ndërlidhjet

logo-print

Prishtinë: Marshojnë “kundër hajnisë”


Qindra qytetarë kanë protestuar edhe të premten në qendër të Prishtinës me moton “Kundër Hajnisë”.

Organizuar nga rrjeti i disa organizatave joqeveritare, protesta kishte si pikënisje pakënaqësitë me faturat e lara të shpenzimit të energjisë elektrike të faturuara nga Korporata Elektro-energjetike e Kosovës, por njëherësh mesazhet kundër hajnisë dhe korrupsionit u janë drejtuar edhe qeverisë dhe institucioneve e shërbimeve tjera publike.

Marshi ka nisur nga ndërtesa e KEK-ut dhe ka përfunduar para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku përballë janë ndërtesa e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Në emër të organizatave joqeveritare para protestuesve foli, Yll Rugova.

Yll Rugova – Nëse nuk bëjmë zhurmë, ata gjithë kanë me na vjedh.


Qytetarët që kishin dalë të protestonin shprehnin pakënaqësitë e tyre me shumat e larta të faturimeve për energjinë e shpenzuar për muajt e fundit.

Ata besonin se faturat e tyre janë të fryra. Përveç sektorit të energjisë, gjendje aspak më e mirë, sipas tyre, nuk është në asnjërin prej shërbimeve publike.

Në mesin e protestuesve ishte sërish edhe aktorja e njohur kosovare, Arta Dobroshi.

Ajo beson se qeveritarët dhe udhëheqësit tjerë po pasurohen në kurriz të xhepit të varfër të qytetarit të Kosovës.

Arta Dobroshi: Politikanët po pasurohen nga xhepi i varfër i qytetarëve- gjynah.


Në vijim, edhe disa qytetarë të tjerë shprehin mendimet e tyre para mikrofonit të Radios Evropa e Lirë në lidhje pjesëmarrjen e tyre dhe qëllimin e protestës.

Selim Tahiri: Pakënaqësi me KEK-un dhe krejt hajnitë që po bahen në Kosovë.


Magbule Zylfiu: Jam ankuar për faturën, hajgare kanë ba me mua.


Ilir Beshiri: Po habitem me popullin pse nuk bashkohet në protesta


Kjo ishte protesta e tetë me radhë që organizatat joqeveritare organizojnë me moton “Kundër Hajnisë”.

Organizatorët thanë se protesta të ngjashme do të vazhdojnë edhe javët në vijim përderisa përgjegjësit për keqpërdorime dhe varfërimin e buxhetit të tyre të mos dalin para drejtësisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG