Ndërlidhjet

Kosova ka ujë mjaft, por s'ka furnizim


Kosova edhe 13 vjet pas luftës nuk ka arritur që qytetarët t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Morina, thotë se kjo vjen si pasojë e keqmenaxhimit nga vetë zyrtarë institucionesh. Ai thotë se Kosova ka resurse ujore të mjaftueshme, por problemi mbetet te menaxhmenti.

“Unë mendoj se problematika qëndron te menaxhmenti, sepse Kosova ka resurse ujore dhe nuk është problemi i ujit, meqë kemi 4 pellgje ujore, kemi burime shumë të mëdha dhe kemi sasi mjaft të mëdha për kokë banori, ato që i dimë. Kemi edhe gjysmën e tyre që nuk i dimë, sepse nuk kemi të dhëna për ujërat nëntokësor dhe për shkak të mungesës së studimeve meqë asnjëherë nuk janë bërë (studime) të plota dhe problematika është te menaxhmenti”, thotë Morina.

Sipas tij, Kosova ka marrë donacione të shumta për menaxhimin e ujit, por, siç thotë ai, kompanitë përgjegjëse nuk kanë punuar drejt, në mënyrë që të eliminohet problemi me ujë të pijes.

“Ne, me të vërtetë jemi duke fituar donacione shumë të mëdha. Këto donacione i dërgojmë drejtpërdrejt në kompani, por i kemi kompanitë regjionale që edhe 13 vjet pas luftës, edhe pse është ngritur niveli i furnizimit me ujë, por jo plotësisht kur dimë që jetojmë mbi ujë”.

“Në qoftë se menaxhmenti i çdo kompanie regjionale dhe drejtoratet e komunave, do t’i rendisnin pak më mirë planet e veprimit lokal, do të mund të furnizonin 24 orë me ujë pa problem, sepse e ekziston mundësia me kusht që teknikisht të investohet më drejtpërdrejtë apo të jenë më të qarta investimet”
, shton Morina.

Ndërkaq, Agim Gashi, drejtor i Shërbimeve Publike - Mbrojtje dhe Shpëtim në Kuvendin Komunal të Prishtinës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kryeqyteti lëngon nga mungesa e ujit, si pasojë e mbipopullimit të saj.

“Në Prishtinë ka mungesë të ujit të pijes si rezultat i numrit të madh të shfrytëzuesve të ujit. Ajo që thuhet se Prishtina ka rreth 1 milion e 900 mijë banorë, ata mund të jenë banorë rezidentë, derisa dyfishi i kësaj statistike punon dhe jeton në Prishtinë. Kjo do të thotë se kryeqyteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e fabrikës së ujit e që duhet të mbajë përgjegjësi edhe Qeveria e Kosovës”.

“Konsideroj se tash jemi në fazën e fillimit të ndërtimit të kësaj fabrike bashkë me donatorët, siç është Banka Gjermane, në të cilin projekt do të participojë edhe Qeveria edhe Komuna e Prishtinës dhe këtë vit do të fillojë ndërtimi i fabrikës”
, bën të ditur Gashi.

Derisa zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se 30 për qind e popullatës nuk janë të kyçur në ujësjellës. Kjo, sipas tyre, bën që rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë ta kenë burimin nga kualiteti i dobët i ujit.

“Pesëdhjetë për qind i referohen diarreve akute e që grupohet në sëmundjet hidrike dhe u referohem si rezultat i ujit. Të dhënat e fundit të Zyrës së Rregullatorit për Ujë, tregojnë se rreth 70 për qind e popullatës është e kyçur në sistemet qendrore të furnizimit me ujë dhe është një e dhënë e kënaqshme, sepse ky ujë është i sigurt për pije. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi punë për të bërë - kemi komoditet të jemi të qetë, mirëpo është një e dhënë shumë e mirë”, thotë Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Sidoqoftë, Bashkësia Evropiane, në bashkëpunim me institucionet vendore, është duke kontribuar që deri në vitin 2020, të mos mbetet asnjë vendbanim në Kosovë pa u furnizuar me ujë higjenik për pije.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG