Ndërlidhjet

Thaçi në KS: Serbia të shpërbëjë strukturat paralele nga veriu


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë edhe një herë thirrje Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele nga veriu i Kosovës, si dhe të ndalojë përpjekjet për të krijuar tensione në vend.

Thaçi i ka bërë këto komente në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili ka diskutuar raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Ai ka kujtuar se në tre muajt e fundit në veri të Kosovës kanë ndodhur “së paku 20 incidente”, të cilat në shënjestër kanë pasur punonjësit serbë të Zyrës Administrative në Veri - institucion ky i ngritur nga Qeveria e Kosovës.

“Kemi dëshmi të bazuara se strukturat paralele serbe janë prapa këtyre akteve kriminale, me qëllim që të frikësojnë zyrtarët që punojnë në këtë zyrë”, ka thënë Thaçi.

Që nga paslufta, Serbia financon strkukturat e veta paralele në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Praktikat e tyre kanë penguar banorët e kësaj pjese që të pranojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare dhe të integrohen në aparatin shtetëror të Kosovës.

Thirrjet për shpërbërjen e tyre kanë qenë të vazhdueshme si nga autoritetet kosovare, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.

“Thirrja jonë nuk është e vetme. Ajo mbështetet nga një numër i madh shtetesh që kanë investuar shumë për sigurinë dhe paqen në Kosovë, por edhe në rajon, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Strukturat paralele serbe kanë qenë edhe në agjendën e rretheve të fundit të bisedimeve në nivel kryeministrash midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat zhvillohen në Bruksel dhe kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Për zgjidhjen e çështjes së tyre është duke u diskutuar rreth një mekanizmi që do të ishte asoaciacion i komunave serbe, por palët kanë mosmarrëveshjeve rreth kompetencave që do t’i kishte ai. Beogradi do përgjegjësi ekzekutive për të, por Prishtina kundërshton fuqishëm.

Duke folur para Këshillit të Sigurimit, Thaçi ka thënë se procesi i bisedimeve mund të rezultojë i suksesshëm “nëse vërtet ka minimum të vullnetit politik nga Serbia”.

“Suksesi eventual në dialog do të jetë në dobi të të dyja shteteve dhe, mbi të gjitha, të qytatarëve tanë. Nëse dialogu rezulton me sukses, nuk do të ketë humbës, por vetëm fitues”, ka thënë Thaçi, duke ritheksuar interesimin e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Gatishmëri të ngjashme ka shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se vendi i tij “është i interesuar për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon”, por duke kundërshtuar fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

“Serbia është e gatshme që dialogu të ketë sukses, por nuk është e gatshme për nënçmime dhe standarde të dyfishta. Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj parimor për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Dialogu është neutral ndaj statusit dhe ansjë marrëveshje që do të arrihet në Bruksel, nuk do të çojë në pranimin tonë të pavarësisë së njëanshme të Kosovës”, ka thënë Daçiq.

Në raportin e rregullt tremujor për Kosovën, sekretari Ban ka thënë se janë bërë hapa përpara me kalimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd nga niveli teknik në nivel politik.

Përfaqësuesi i UNMIK-ut, Farid Zarif , ka thënë se “incidentet në Kosovë po vazhdojnë”, porse “problemet në terren nuk bën të rrënojnë përparimin e bërë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kombet e Bashkuara, përfshirë ata të SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar e të tjerë, kanë përgëzuar përjekjet e Kosovës dhe të Serbisë që përmes dialogut të normalizojnë marrëdhëniet.
XS
SM
MD
LG