Ndërlidhjet

Në mesnatë, partitë politike në Maqedoni, të cilat garojnë në zgjedhjet vendore të së dielës, më 24 mars, kanë përfunduar fushatën zgjedhore, duke filluar kështu heshtjen zgjedhore.

Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, gjatë 20 ditëve, duke kërkuar besimin e votës para elektoratit kanë prezantuar kandidatët për kryetarë komune, si dhe kanë shpalosur programet e tyre.

Qendrat e votimi të dielën, do të hapen nga ora 7, dhe do të mbyllen në orën 19.

Zgjedhjet lokale mbahen në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e vetë-administrimit lokal, ndërkohë që janë parashtruar 350 lista për kryetarë komunash dhe 480 lista për këshilltarë. Në listat e këshilltarëve janë kandiduar 8.528 persona.

Nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Subhi Jakupi, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucioni i tij ka shpërndarë me kohë materialin zgjedhor dhe beson se zgjedhjet do të realizohen pa problem në të gjitha vendvotimet e Maqedonisë, gjithsej 2.976 sosh.

“Ne kemi ndërmarrë të gjitha masat që të jemi të gatshëm në të gjitha aspektet që qytetarëve t`u ofrojmë sa i përket organizimit të zgjedhjeve, që ato të realizohen në frymë demokratike".

"Me distribuimin e materialit zgjedhor mendoj se është rrumbullakësuar edhe aspekti teknik i përmbushjes së të gjitha standardeve që të jemi të gatshëm të realizojmë zgjedhje të drejta dhe demokratike, po sipas kritereve që ka përcaktuar komuniteti ndërkombëtar”,
thotë Jakupi.

Ndryshe, në Maqedoni, një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e tyre të votës në shtëpitë ndëshkuese-përmirësuese kanë mundësi për ta shfrytëzuar 1.446 votues, ndërsa jashtë vendit të jetesës 136 zgjedhës me status të personave të shpërngulur brenda vendit, personat që ndodhen në vuajtjen e masës së burgimit shtëpiak dhe personat e sëmurë, të cilët e kanë kërkuar këtë në Komisionet Komunale Zgjedhore.

Subhi Jakupi thotë se KSHZ-ja pasi nga zgjedhjet e fundit parlamentare, grumbullimin e të dhënave nga materiali zgjedhor e bën në formë elektronike, rezultatet e para zyrtare pritet t`i kumtojë disa orë pas mbylljes së vendvotimeve, gjegjësisht pak para mesnatës së të dielës.

“Aspekti tjetër është se ne mendojmë se do të jemi të gatshëm të dalim me një rezultat preliminar diku para mesnatës, me ç'rast gjatë kësaj kohe besoj se do t`i kemi mbi 80 për qind të rezultateve të grumbulluara nga terreni”, shpjegon Jakupi.

Shkup

Shkup

Për të monitoruar zgjedhjet lokale në Maqedoni nga KSHZ-ja janë akredituar 410 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 8.379 vendorë.

Organizatat ndërkombëtare, përkatësisht misioni i OSBE-së dhe ODIHR-it, kanë shprehur kënaqësinë nga arritja e marrëveshjes ndërmjet partive në Maqedoni për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në frymë demokratike, duke përkujtuar se zgjedhjet e lira dhe korrekte janë gur-themel i çdo demokracie.

"Jemi të kënaqur që pamë se liderët e partive të ndryshme politike në Maqedoni ishin të gatshëm të arrijnë marrëveshje konstruktive, e cila mundësoi që zgjedhjet të mbahen siç ishin caktuar fillimisht. Si pjesë e avancimit të saj ndaj integrimit të rritur euroatlantik, Maqedonia duhet të vazhdojë t'i konsolidojë reformat demokratike dhe t'i përforcojë institucionet e saj demokratike".

"Zgjedhjet e lira dhe korrekte janë gur-themel i çdo demokracie. U bëj thirrje autoriteteve të Maqedonisë dhe gjithë qytetarëve të sigurojnë që zgjedhjet e 24 marsit të jenë vërtet të lira, korrekte, transparente dhe të lira nga dhuna dhe presioni"
, thuhet në kumtesën e misionit të SHBA-së pranë OSBE-së.

Edhe ODIHR-i ka rikujtuar se përmbushja e kritere për zgjedhje demokratike është me rëndësi për të ardhmen euroatlantike të vendit

“Ne këtu nuk vijmë me pritje për rezultate të caktuara , ose se gjërat do të marrin të tatëpjetën ose të mbarën, esenca e vëzhgimit ka të bëjë me atë që të krijojmë një pasqyrë reale për atë se janë plotësuar kriteret ose jo të përcaktuara nga OSBE-ja dhe faktori ndërkombëtar”, shprehet Tomas Rajmer, zëdhënës i ODIHR-it.
XS
SM
MD
LG