Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhje të qeta në Maqedoni


Procesi zgjedhor për zgjedhjen e drejtuesve komunalë në Maqedoni kryesisht është zhvilluar pa probleme të theksuara, ka bërë të ditur nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Ai ka theksuar se gjatë ditës janë shfaqur disa probleme të natyrës teknike, të cilat janë eliminuar në afat të shkurtër kohor.

Ndërkaq, Jakupi ka bërë të ditur se ka pasur një dalje më të lartë të votuesve në zgjedhje, mbi 57% deri në orën 17-të, gjë që krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2009, është për 10 % më shumë.

“Vlerësimi ynë, si KSHZ, është se zgjedhjet janë realizuar në frymë demokratike. Që mund të themi se ne sot kemi pasur një ditë feste në Republikën e Maqedonisë”, ka deklaruar Jakupi.

Ndërsa, asociacioni qytetar “Most”, që ndjek procesin zgjedhor me 3 mijë e dyqind vëzhgues, ka bërë të ditur se janë hapur të gjitha vendvotimet në Maqedoni dhe se vëzhguesit e saj janë në terren, por se në disa vendvotime janë vërejtur parregullsi të caktuara, por që nuk dëmtojnë procesin.

Për parregullsi ka njoftuar dhe organizata qytetare "Civil", sipas së cilës, një numër i madh i qytetarëve nga komuna “Liqenas”, së fundmi e emëruar në Pustec, kanë votuar me dokumente jovalide. Parregullsi janë shënuar edhe në disa qytete si, lista të tepërta të votimit, agjitim para vendvotimeve dhe parregullsi të tjera.

Për proces të rregullt është shprehur edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

"Deri në orën 14 nuk është regjistruar asnjë incident më serioz dhe nuk kishte nevojë për ndonjë intervenim të posaçëm të policisë. Votimi nëpër qendra po zhvillohet pa probleme dhe pa shkelje të së drejtës së zgjedhjes", ka deklaruar Kotevski.

Ndërkaq, reagimi i parë nga partitë politike, vjen nga kryetari i PDSH-së,Menduh Thaçi, i cili ka thënë se nuk ka mundur të votojë sot në vendvotimin e tij, pasi emri i tij është fshirë nga listat e votuesve.

“Nuk isha në listën zgjedhore, edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. Ministria e Punëve të Brendshme, njësia rajonale e Tetovës nuk e ka informuar Entin Statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj".

"Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta. Sipas informacioneve që kemi në shtabin tonë, në shumë komuna ka me qindra njerëz, të cilët kanë dokumente të rregullta, por nuk janë në listat zgjedhore. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull, por ky është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”,
është shprehur Thaçi.

Këtë e ka kundërshtuar zëdhënësi i Policisë, sipas të cilit lideri i PDSH-së nuk disponon me letërnjoftim biometrik, por vetëm pasaportë diplomatike, e cila sipas Ligjit për zgjedhje, nuk është dokument valid për të votuar.

Zgjedhjet vendore, të gjashtat me radhë, që realizohen në Maqedoni, kësaj radhe kanë marrë dimensionin e garës ndëretnike për qytetin e Strugës dhe Kërçovës, ku partitë janë ndarë në baza etnike.

Në Kërçovë garojnë dy kandidatë, një shqiptarë dhe një maqedonas andaj edhe partitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë drejtimin e kësaj komune, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale ka ndryshuar strukturën etnike dhe është më tepër e banuar me popullatë shqiptare.

Sipas të dhënave të KSHZ-së në këtë qytet është vërejtur dhe numri më i madh i daljes së votuesve të të dy etniteteve - maqedonasve dhe shqiptarëve - rreth 54.6 për qind. Ndërkohë që edhe në orët e pasdites vërehen radhë të gjata të qytetarëve që presin për të votuar.

Po sipas të dhënave të këshillave komunalë, deri në orën 14-të në disa vendvotime të Zajazit dhe fshatrave përreth, pjesëmarrja e votuesve ka arritur mbi 70 për qind.

Mërgimtarët, të cilët kanë mbërritur në Kërçovë me dhjetëra autobusë dhe vija të posaçme fluturimi, thonë se kanë ardhur për të votuar dhe menjëherë gjatë ditës, ata do të kthehen në vendet e Evropës ku janë me punë të përkohshme.

“Kam ardhur nga diaspora për të votuar për kandidatin tonë , të realizojmë zgjedhje korrekte dhe t`i tregojmë botës se ne shqiptarët nuk jemi numër i vogël sië pretendojnë të tjerët”, thotë Hasan Hasani, mërgimtar.

“Po besoj se ardhja jonë do të shërbejë, sepse zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme dhe e drejtë e qytetarit, dhe besojmë se zgjedhjet do të jenë në nivel, do të kemi zgjedhje demokratike”, thotë një qytetar nga Kërçova që ka ardhur të votojë nga diaspora.

Edhe lideri i partisë shqiptare në pushtet, BDI, Ali Ahmeti, pasi ka votuar në Kërçovë, është shprehur se niveli i lartë i demokracisë në këto zgjedhje, është kontribut i të gjithë faktorëve politikë.

“Mërgimtarët shqiptarë janë pjesa më vitale në hapësirat e rajonit të Kërçovës. Ata kanë kontribuar shumë për këtë vend, këtu ka të hyra të mëdha nga bashkatdhetarët tanë. Ne jemi një komunë e pazhvilluar, do të thotë pa ndonjë industri, kështu që e vetmja industri profitabile për komunën e Kërçovës është mërgata shqiptare në këtë rrethinë”, është shprehur Ahmeti.

Ndërkohë, deputetët e partisë maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, Antonio Milloshoski, Ilija Kitanov së bashku me drejtorin e Doganës,Vanço Kargov, dhe zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike, Vlladimir Pesheski, janë vëzhgues në qytet, ndërsa zëvendëskryeministri Zoran Stavrevski dhe Sillvana Boneva janë në Zajaz.

Nga ana tjetër, presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, pasi ka realizuar të drejtën e votës, ka theksuar se realizimi i zgjedhjeve në frymë demokratike, është me një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.

“Sot është dita kur qytetarët e japin votën e tyre për atë, tek i cili kanë më tepër besim, e japin votën për ata, për të cilët mendojnë se mund të kontribuojnë më shumë për ta dhe të afërmit e tyre në vendet ku jetojnë".

"Presim që edhe këto zgjedhje të kalojnë si është më së miri dhe në mbrëmje t’i urojmë fituesit, atyre që janë më të mirë dhe atyre që e kanë merituar besimin”
, ka theksuar Ivanov.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, njëherësh dhe lider i partisë më të madhe maqedonase VMRO DPMNE, ka thënë se zgjedhjet po realizohen në frymë demokratike duke mos pasur parregullsi më të mëdha që do ta dëmtonin procesin e përgjithshëm zgjedhor.

“Pres që qytetarët në numër sa më të madh të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të votojnë për kandidatin që mendojnë se duhet besuar vota, kurse Maqedonia të vazhdojë të hapërojë para, në realizimin e projekteve të radhës, në realizimin e të gjitha atyre punëve për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, është shprehur Gruevski.

Ndërkaq, lideri i partisë maqedonase në opozitë,LSDM, Branko Cërvenovski, ka thënë që dita e zgjedhjeve të kalojë e qetë pa kurrfarë incidentesh dhe pa dhunë.

“Shpresoj që qytetarët masivisht do të dalin sot për të votuar për të realizuar këtë obligim qytetar dhe sipas bindjes së tyre, pa kurrfarë presioni dhe kërcënimi, të besojnë votën e tyre për atë opsion politik që vlerësojnë se është më i miri”, ka deklaruar Cërvenkovski.

KSHZ-ja pritet që të dalë me rezultatet e para zyrtare rreth mesnatës.
XS
SM
MD
LG