Ndërlidhjet

Pa projekte publiko-private, nuk ka kredi nga BERZH


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova ka treguar se është e papërgatitur për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, anëtar i së cilës vendi u bë në fund të vitit të kaluar, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike.

BERZH-i ka hartuar një draft-strategji trevjeçare për Kosovën, në të cilën kishte identifikuar tri orientimet strategjike. Këto orientime përfshijnë përkrahjen e privatizimit dhe zhvillimin e sektorit privat në infrastrukturë, si dhe promovimin dhe përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin e energjisë dhe mineraleve.

Nisur nga kjo draft-strategji, drejtori i Instituti për Hulumtime të Avancuara, GAP, Agron Demi, thotë se Kosova është gjetur e papërgatitur për të tërhequr investime nga ky mekanizëm financiar ndërkombëtar dhe kjo, siç thotë Demi, për shkak të mungesës së projekteve të partneritetit publiko-privat.

“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar draft-strategjinë e saj tre vjeçare për Kosovën dhe nëse shikohet ajo strategji, Qeveria e Kosovës sërish është gjetur e papërgatitur sa i përket thithjes së investimeve për shkak se BERZH investon projektet e investitorëve privat dhe të partneritetit publiko-privat. Ne nuk kemi projekte kredibile të partneritetit publiko privat ku do të mund të intervenonte BERZH me mjete të caktuara”, thotë Demi.

Duke mos pasur projekte konkrete të partneritetit publiko - privat, thotë Demi, BERZH është fokusuar në projekte siç janë autostrada Prishtinë - Shkup dhe sektori energjetik, projekte këto, të cilat, sipas Demit nuk sjellin punësim dhe nuk ngjallin zhvillimin ekonomik.

“Në mungesë të projekteve të partneritetit publiko- privat, BERZH-i ka identifikuar fushat ku do të mund të investonin, të cilat nuk kapin shifra shumë të mëdha të financimit për shkak se projektet janë shumë të vogla dhe jo aq të rëndësishme. Ata janë fokusuar prapë në termocentralin ‘Kosova e Re’, në shitjen e PTK-së dhe në autostradën Prishtinë - Shkup, projekte të cilat në studimet e fizibilitetit tregojnë se nuk do të nuk ngjallnin zhvillim ekonomik dhe rritje të punësimit”, vlerëson Demi.

Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim është themeluar në vitin 1991. Kjo bankë është themeluar për t’i ndihmuar shtetet në tranzicion.

BERZH
BERZH
BERZH është institucioni i tretë ndërkombëtar financiar, pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që Kosova anëtarësohet.

Në anën tjetër, edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka treguar se ka ndonjë projekt konkret që do të mund të investonte BERZH.

“Nuk ka ndonjë lëvizje apo ndonjë ofertë konkrete, por që planifikohet që ndoshta përmes kredive të buta apo përmes formave ndryshme të komunikimit të drejtpërdrejtë me BERZH-n të sigurohet një investim, i cili do të lehtësonte buxhetin prej shpenzimeve, por çka do të jenë ato nuk ka konkretisht një ofertë, një synim të identifikuar nga Qeveria e Kosovës”, shprehet Rexhepi.

Më e mira, sipas Rexhepit do të ishte që Qeveria e Kosovës të krijonte një ambient të sigurt për biznes dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i BERZHIT të jetë në sektorin privat, aty ku, siç thotë Rexhepi, do të garantohej rritje më e qëndrueshme ekonomike.

Rexhepi nuk beson që BERZH-i do të inkuadrohet në projekt publike, siç është autostrada.

“Nuk duhet pritur shumë pasi, sipas prezantimit që ka bërë BERZH, Kosova nuk ka kapacitete të hyjë në kredi komerciale. Madje, është thënë se maksimumi mund të jetë deri në 110 milionë euro dhe jo më shumë”, thekson Rexhepi.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
XS
SM
MD
LG