Ndërlidhjet

NATO-ja arsyetoi ekzistimin e saj më 24 mars 1999


Urë afër Novi Sadit e shkatërruar nga bombardimet e NATO-s
Urë afër Novi Sadit e shkatërruar nga bombardimet e NATO-s


Kështu dëgjohej alarmi gjithandej Kosovës dhe Serbisë më 24 mars të vitit 1999.

Sirenat u dëgjuan për 78 ditë rresht, aq sa zgjati edhe fushata ajrore e NATO-së ndaj caqeve serbe të sigurisë.

Për njohësit e çështjeve ushtarake, bombardimi ishte i domosdoshëm. Por, ai zgjati më tepër sesa që e kishte menduar Aleanca Veri-atlantike.

Ali Aliu, që është shqiptari i parë dhe i fundit pilot në aeroplanët reaktiv dhe supersonik, thotë për Radion Evropa e Lirë, se NATO-ja ia arriti qëllimit të saj që ta gjunjëzojë Serbinë, pa u futur në luftë frontale me këmbësori.

“Bombardimi ka qenë i domosdoshëm dhe ka zgjatur më tepër se që është planifikuar, sepse ashtu ka qenë situata, domethënë është dashur të shkohet deri te kapitullimi. Deri në fund. Praktikisht, është nënshkruar nga Serbia, kapitullimi i asaj Jugosllavie. Dhe, qëllimi është arritur. Për të parën herë në histori, sepse nuk ka ndodhur përpara, që qëllimi i luftës të arrihet vetëm me fushatë ajrore”, thotë Aliu.

Sipas tij, 14 vjet më parë, Aleanca Veri-atlantike edhe arsyetoi ekzistimin e saj, meqë si rezultat i kapitullimit të Serbisë, refugjatët u kthyen në shtëpitë e tyre dhe intervenimi humanitar dha rezultatet e veta.

Por, jo vetëm kaq. Sipas pilotit kosovar, një ndërmarrje e tillë vështirë se do të mund të bëhej nga një shtet i vetëm, qoftë ajo edhe superfuqia më e madhe botërore. Ndërsa me përfshirjen e NATO-s, edhe pakti mori një arsyetim tjetër për funksionimin e tij në të ardhmen.

“Po mos të ishte NATO, unë nuk besoj që do të kishte mundur ndonjë shtet i vetëm, vetvetiu të merrte një aksion të tillë, qoftë ajo edhe Amerika. Edhe për atë arsye, në një farë mënyre, e ka arsyetuar ekzistimin edhe NATO-ja, në këtë rast”, shprehet Aliu.

Mirëpo, kujtimi për fillimin e bombardimeve, nxjerr në pah edhe pritjet, të cilat, sipas tij, nuk u përmbushën as 14 vjet pas. Ish-piloti në Armatën Popullore të Jugosllavisë, vlerëson se procesi i normalizimit ishte i ngadaltë, kurse fajin e sheh si te klasa politike vendore, ashtu edhe te faktori ndërkombëtar.

“Për çfarë arsye ne nuk e kemi armatën? Përse nuk i kemi pasur që më herët të definuar çështjen e kufirit, por tash duhet pas 14 vjetësh të diskutojmë për çështjet, të cilat është dashur të zgjidhen shumë më herët?!”, thekson Aliu.

Përgjigjen në këtë dilemë e arsyeton zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bejtush Gashi. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se edhe për ushtrinë e ardhshme do të dihet së shpejti.

Sipas zëvendësministrit të Forcës së Sigurisë, e cila u ngrit pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse që trashëgoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, brenda tre muajve do të dihet se çfarë kompozicioni ushtarak do të ketë vendi.

“Në qershor do të jetë para autoriteteve vendimmarrëse vendore, që të nxjerrin vendim për strukturën e ardhshme të sektorit të sigurisë dhe përgjegjësive të secilit sektor në kuadër të kësaj strukture. Në këtë drejtim, Forca e Sigurisë së Kosovës shkon kah një ushtri, e cila do të jetë në raport me kërkesat që sektori i sigurisë ka.Përkatësisht, standardet që kërkohen për të funksionuar dhe për të qenë kompatibile me strukturat ku ajo planifikon të anëtarësohet, pra në strukturat e NATO-s. Shpresoj dhe besoj se data kur Kosova do të ketë ushtrinë e saj nuk është shumë e largët”, deklaron Gashi.

Zëvendësministri i FSK-së thotë, po ashtu, se përpos orientimit që po merr kjo forcë dhe shoqëria në përgjithësi, në ditën kur kujtohet ndërhyrja e NATO-s, të gjithë duhet të tregojnë më shumë kujdes që t'i përmbushin kërkesat e të gjithë qytetarëve.

Gashi pajtohet se pritjet, të cilat kanë qenë më 14 mars 1999, për fat të keq nuk kanë arritur të përmbushen që të gjitha. Por, arsyeton se ato ishin më të mëdha sesa realiteti, nëpërmes të cilit ka kaluar dhe po kalon Kosova.
XS
SM
MD
LG