Ndërlidhjet

logo-print
VOX

Fëmijët e dikurshëm rikujtojnë bombardimet


Nisja nga baza ajrore Aviano

Nisja nga baza ajrore Aviano

Fillimi i bombardimeve të caqeve serbe nga forcat ajrore të NATO-s, më 24 mars të vitit 1999, për shqiptarët e Kosovës ishte shenjë se çlirimi i tyre nga forcat serbe dhe regjimi i Sllobodan Millosheviqit, ishte afër.

Ky fakt, qoftë si kujtim i zbehtë, qoftë si një pamje që ende u rri para syve sikur të ketë ndodhur sot, ka mbetur në kujtesën e disa të rinjve shqiptarë të Kosovës, të cilët 14 vjet më parë, shumica kanë qenë fëmijë dhe adoleshentë.

Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, ata rikujtojnë momentet e fillimit të bombardimeve, hakmarrjen e forcave serbe, reagimet e tyre si fëmijë, por edhe të prindërve, si dhe situatat në të cilat ishin vënë.



Taulant Krasniqi, nga fshati Breznicë e komunës së Kastriotit, thotë se i ka pasur 6 vjet, kur kishin nisur sulmet e NATO-s mbi caqet serbe.

“Si fëmijë, e mbaj mend, ka qenë ora diku rreth 8 ose 9 në mbrëmje, nëse nuk gaboj, sepse kam harruar pak, por më kujtohet se kemi qenë duke ndenjur në ballkon, jashtë. Më kujtohet ai moment dhe gjithmonë sikur e kam përballë, se si u ndrit qielli - mbrëmje ishte".

"Atëherë nuk kam ditur të frikohem. Si fëmijë kam menduar se jeta është, thjesht, si film dhe nuk e kam ditur se çfarë është rreziku dhe çfarë mund të ndodhë. Lufta më është dukur si diçka interesante dhe s'jam frikësuar nga ajo, sepsenuk kam ditur të frikohem, si fëmijë”,
tregon Taulanti.

Ariana Pllashniku nga Prishtina, thotë se 14 vjet më parë kishte vetëm 7 vjet. Ajo kujton momentet e bombardimeve dhe strehimin e familjes së saj në bodrum, por edhe kujdesin e prindërve që të mos e kuptojnë fëmijët se çfarë po ndodhte në të vërtetë:

“Më kujtohet që të gjithë familjarët kemi qenë në një bodrum. Kemi qenë më shumë se 20 vetë. Nuk më kujtohet diçka tjetër, përveç krismave që i kemi dëgjuar, por nuk e kam ditur se ku po ndodhin, vetëm se kam menduar se janë shumë afër shtëpisë. Të dy prindërit janë kujdesur shumë për ne dhe na e kanë shpjeguar situatën jo ashtu siç ka qenë, por e kanë zbutur më shumë, që të mos e dimë se çfarë është duke ndodhur jashtë atyre mureve të shtëpisë tonë”.

Pak më i rritur thotë të ketë qenë Blerim Gashi nga fshati Mramor i Komunës së Prishtinës, atëherë 12 vjeç, kur në fshatin e tij ishte dëgjuar shpërthimi nga fshati tjetër.

“E mbaj mend kur i ka rënë NATO, më 24 mars. Ora ka qenë rreth 20 kur ka bombarduar në Butovc, për herë të parë. Është dëgjuar edhe në fshatin tonë. Kur kanë gjuajtur, e kemi dëgjuar, sepse na ka dridhur edhe ne, por edhe xhamat e shtëpisë. Edhe jemi gëzuar, por edhe jemi frikësuar, sepse prisnim se kur do të na hyjnë neve (forcat serbe). Sa më shumë që e ngacmonte armikun serb, aq më shumë ata hakmerreshin. Sot është krejt ndryshe dhe e ka vlejtur shumë e gjithë ajo”, shprehet Blerimi.

Leonora Maliqi nga Gjilani, thotë se para fillimit të bombardimeve, mban mend se mësimi në shkolla ishte ndërprerë. Ajo thotë se ishte strehuar në shtëpi me familjarët e saj.

“Mbaj mend që prindërit gjithë kohën janë përpjekur që të na mbledhin në një dhomë të gjithë fëmijët dhe të bëjmë lojëra që ndoshta më herët nuk do të na kishin lejuar t’i luajmë. Shpërthimet kanë qenë nganjëherë shumë të frikshme, por tërë kohën ka qenë ajo fryma e patriotike e familjeve, që na kanë thënë ‘mos ke frike se tanët janë’ dhe ‘jeni të mbrojtur’".

"Por, kur na kanë nxjerrë nga shtëpitë, atë ditë e di se e kam përjetuar frikën, sepse kam parë njerëz të shtrirë në tokë dhe familjarët që u rrinin mbi kokë. Ushtarët, paramilitarët realisht, kanë shtënë me alltia dhe njerëzit, do të thotë burrat që kanë qenë të shtrirë, nuk kanë guxuar ta shikojnë njëri-tjetrin fare”, rrëfen përjetimet e saj Leonora.

Kushtrimi, po ashtu nga Gjilani, thotë se 14 vjet më parë, shtëpinë e kishte afër kazermës së ushtrisë serbe dhe se një nga caqet e bombardimeve ka qenë edhe ajo kazermë.

“Mu afër shtëpisë sime ka qenë kazerma dhe aty ka nisur bombardimi i parë. Krismat janë dëgjuar shumë. Shtëpia është dridhur aq shumë sa që është bërë gjithë pluhur përbrenda dhe xhamat janë thyer. Gjumin nuk kam mundur ta bëj kurrë mirë, sepse gjithmonë jemi frikësuar (nga hakmarrja e forcave serbe). Pastaj, është interesante se mu atë ditë që e kam pasur ditëlindjen, është çliruar Gjilani, më 14 qershor. Edhe unë... atëherë e kam bërë gjumin më të mirë”, thotë Kushtrimi.

Meriton Morina, nga Çikatova e Vjetër e komunës së Drenasit, thotë se ka qenë 6 vjeç kur kanë nisur bombardimet e NATO-s. Ai me familjen tij ishin strehuar në malet e Qyqavicës:

“Më kujtohen shumë pak. I kam parë vetëm aeroplanët që endeshin, por që kanë nisur bombardimet e kemi kuptuar përmes prindërve. Duke i parë ata që po gëzohen, normalisht, jemi gëzuar edhe ne. Kemi qenë në Qyqavicë asokohe, aty ku edhe ma kanë marrë prindin policia serbe. Prindin e kam tash gjallë, falë Zotit, është shumë mirë”.

Muhamet Gashi nga fshati Hajvali, thotë se ka qenë 14 vjeç kur ka nisur fushata e bombardimeve të NATO-s. Ai thotë se për të kanë qenë ndjenjat e përziera, gëzim dhe frikë:

“Mbaj mend fillimin dhe krismat. Na ka rënë të shohim te Gërmia kur kanë gjuajtur. Prej malit ne e shihnim krejtësisht atë pjesë duke e bombarduar. E dridhte të tërin. Ka qenë një ndjenjë e mirë, por edhe në tjetrën anë, kishim frikë, sepse ne të gjithë ishim këtu dhe nuk e dinim se çfarë do të ndodhte me ne. Lufta ende vazhdonte. Edhe pse bombardonte NATO, serbët hakmerreshin dhe ka pasur masakra. Sidomos, në Mramor ka qenë ende ofensiva dhe normalisht që kemi pasur frikë, ndonëse kemi qenë në mal”.

Por, ja se si i ka mbetur në mendje Bardh Varakut një episod gjatë bombardimeve:

“Goditja e parë e NATO-s më kujtohet. Do të thotë, goditja e parë që unë e kam përjetuar ka qenë kur unë kam qenë i shtrirë në tokë dhe në atë moment e kanë qëlluar ‘Jugoplastikën’. Ajo më kujtohet. Në banesën ku isha janë hapur të gjitha dritaret dhe kanë rënë poshtë. Kjo më kujtohet dhe nuk më hiqet kurrë nga mendja. Kam ndenjur 10 ditë këtu dhe kam ikur në Shkup”.

Arta Haliti nga Prishtina, ka qenë 16 vjeçe kur kanë ndodhur bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe. Ajo thotë se ka qenë një periudhë shumë e vështirë, por edhe e shpresës. Fillimin e bombardimeve thotë se e kishin shënuar me kremte në familjen e saj, por më pas kishin ardhur momentet e vështira.

“Është bombarduar në qytetin tonë, por ne kemi festuar me familjen. Nuk e harroj kurrë qytetin, Prishtinën. Asokohe ka qenë qytet i vdekur, i zbrazur. Ka qenë qytet i fantazmave, shumë i frikshëm dhe tërësisht i zbrazur, për shkak të pranisë së ushtrisë në qytet. Gjithçka ka qenë e paralizuar. Tash, pas sa vjetësh, kur reflektoj, më duket e pabesueshme. Mendoj se megjithatë ia ka vlejtur shumë dhe jam e lumtur që si rezultat i atyre bombardimeve, sot ne jetojmë të lirë”, thotë Arta.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG