Ndërlidhjet

Thaçi (s')po shkel Rezolutën e Kuvendit


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Është shkelur apo jo Rezoluta e Kuvendit të Kosovës në lidhje me bisedimet politike me Serbinë, kjo është një çështje debati në Prishtinë.

Përderisa partia më e madhe në pushtet e mohon të jetë shkelur kjo Rezolutë, kurse dy partitë opozitare LDK dhe AAK nuk besojnë se ka vend për shqetësim, është Lëvizja Vetëvendosje e cila vlerëson se Rezoluta është shkelur qysh në takimin e parë midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

Çështja e respektimit të Rezolutës në bisedimet me Serbinë, është komentuar pas takimit të Kryesisë së Kuvendit.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ishte i rezervuar në komentet e tij.

Rezoluta i ka dhënë disa vija për çka duhet të bisedohet dhe për çka nuk duhet të bisedohet. Unë nuk dua të jap mendimin tim por është çështje që pyetjet e kësaj natyre realisht duhet t`i drejtohen atyre që janë duke i zhvilluar dhe kanë marrë përgjegjësi për t`i zhvilluar bisedimet. Unë do ta japi mendimin pasi të përfundojnë bisedimet”, është shprehur Krasniqi.

Dyshimet nëse dialogu politik i Brukselit po shkel Rezolutën e Kuvendit kanë të bëjnë me hapjen e çështjes së veriut në këto bisedime, e cila ishte trajtuar më parë si çështje e brendshme e Kosovës.

Por, për Partinë Demokratike të Kosovës të kryeministrit Hashim Thaçi, dialogu po shkon sipas parashikimeve dhe sipas Rezolutës së miratuar nga Kuvendi.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se kryeministri po zhvillon dialog në interes të vendit.

Ne nuk themi se është tejkaluar Rezoluta e Kuvendit të Kosovës. Gjithçka ka ndodhur në përputhje me Rezolutën, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi”, ka thënë Grabovci.

Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri mendon se konstatimi për shkelje apo jo të Rezolutës do të mund të nxirret pasi që Hashim Thaçi e Ivica Daçiq të përmbyllin procesin e nisur të bisedimeve në Bruksel, të ndërmjetësuara nga shefja e diplomacisë evropiane, Cathernine Ashton.

Është me rëndësi se çka po bisedohet dhe çka do të vendoset, se sa ajo që po flitet për veriun. Ne e kemi të qartë se në atë pjesë të Kosovës nuk ka kurrfarë shtrirje të sovranitetit”, ka deklaruar Beqiri.

Një mendim ndryshe nga pjesa tjetër e spektrit politik prezanton deputeti Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, Rezoluta me të cilën iu dha dritën jeshile kryeministrit për bisedime me Serbinë është shkelur që në takimin e parë.

Rezoluta është shkelur pikërisht në momentin kur ka filluar të flitet për veriun, që është çështje e brendshme e Kosovës. Natyrisht se çfarëdo ndërhyrje e Serbisë në këtë rregullim institucional dhe territorial të Kosovës është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Serbisë në sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka thënë Ymeri.

Para nisjes së bisedimeve politike me Serbinë, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash pati miratuar një Rezolutë e cila i mundësonte kryeministrit Thaçi të hynte edhe në dialog politik me Beogradin, por ku i përcaktohej çartë se nuk mund t’i negocionte çështjet e brendshme politike me shtetin serb.

Po në lidhje me këto bisedime, pritet që kryeministri Thaçi ta informojë Kuvendin në lidhje me takimin e tij të fundit me Daçiqin, këtë të enjten, ku më pas si zakonisht edhe pritet të hapet debat parlamentar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG