Ndërlidhjet

Lufta për strukturën etnike në veri


Veri...
Veri...
Beogradi zyrtar me çdo kusht po përpiqet ta ruajë të pandryshuar strukturën etnike, e cila është krijuar në veriun e Kosovës, ku popullatë shumicë janë serbët.

Kështu vlerësojnë politikanët dhe njohësit serbë të rrethanave dhe zhvillimeve politike, të veriut të Kosovës.

Sipas tyre, në këtë drejtim shkon edhe kërkesa e zyrtarëve të Beogradit, që përveç kontrollit të policisë dhe të drejtësisë, bashkësia e komunave serbe të ketë edhe kompetencën për planifikimit hapësinor.

Shefi i zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin, e ka vlerësuar të rëndësishëm planifikimi hapësinor, sepse, sipas tij, “është e vetmja mënyrë të pengohet ndryshimi i strukturës etnike”.

Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut të vendit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkesën e Vulinit e mbështesin serbët e veriut të Kosovës dhe se ajo është një kundërpërgjigje ndaj politikave të Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij, në vitet e fundit, po përpiqet ta ndryshojë strukturën etnike në veri, duke vendosur atje familje shqiptarësh, të cilat siç thotë ai, nuk janë të asaj hapësire.

Këtu në Mitrovicë, po zhvillohet një luftë, në kuptimin e plotë, para së gjithash, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Më duket se Prishtina në këtë rast është më e suksesshme, sidomos në këto katër apo pesë vjetët e fundit, duke vendosur sa më shumë shqiptarë këtu".

"Ndërkaq, Beogradi po lufton që të mbajë në këtë hapësirë sa më shumë serbë dhe ta ruajë këtë përbërje etnike, e cila është krijuar këtu, në pjesën veriore të qytetit. Pjesa më e madhe e popullatës në veriun e qytetit të Mitrovicës janë, para së gjithash, të shpërngulurit e brendshëm, serbë nga Vushtrria, Prishtina dhe Fushë Kosova, si dhe nga Peja dhe Klina”, tha Jakshiq.

Në anën tjetër, njohësi i rrethanave politike në veri të Kosovës, Dragisha Kërstoviq nga Leposaviqi, thotë se insistimi i shefit të zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin, lidhur me kompetencat për planifikim hapësinor është i çuditshëm, kur kihet parasysh që kompetencat e tilla, e sidomos lejet për ndërtimin e shtëpive, janë të parapara për të gjitha komunat, e në këtë rast edhe për komunat me shumicë serbe.

Mua më duket se i kanë këto kompetenca, sidomos kur flitet për dhënien e lejeve për ndërtimin e shtëpive, që të mos flasim për objekte kapitale dhe të rëndësisë së veçantë. Kur flasim për këtë, mendoj se është kompetencë e vetëqeverisjes lokale dhe nuk e di pse ngritët kjo çështje".

"Se a do të pengohet me këtë ndryshimi i strukturës kombëtare të popullsisë, kjo është çështje tjetër dhe thjeshtë nuk e shoh ndonjë arsye të veçantë që për këtë të krijohen mosmarrëveshje”, u shpreh Kërstoviq.

Por, a konsistojnë kërkesat e Beogradit zyrtar me përfitimin eventual të mundësisë për krijimin e kufijve brenda Kosovës mbi baza etnike?

Jakshiq, vlerëson se serbët janë të frikësuar nga Qeveria e Kosovës , e cila siç thotë ai, po përpiqet, që në veri të Kosovës të ndërtojë shtëpi, në të cilat do të silleshin, sipas tij, shqiptarë nga Drenica, me përvojë luftarake.

Ndërkaq, për rrezikun nga territoret e pastra etnike, siç thotë ai, shqiptarët e kanë humbur të drejtën që të flasin.

Konsideroj se Aleksandar Vulin ka menduar përafërsisht për një aksion të tillë (të Prishtinës), e cila gjatë gjithë vitit të kaluar ka qenë një hap larg për tu realizuar. Me këtë është synuar që veteranët e luftës të vendosen në tokën e ujësjellsit, do të thotë, në një tokë të shoqërore ose të shtetit dhe aty është dashur të vendosen".

"Por, sa i përket çështjes së territoreve të pastra etnike, mendoj se shqiptarët kanë më së paku të drejtë të flasin, duke pasur parasysh se nga sa qytete janë shpërngulur serbët, janë përzënë dhe pastruar etnikisht”, theksoi Jakshiq.

Por, Kërstoviq nuk mendon se Beogradit, me kërkesën e kompetencave për planifikim hapësinor, mund të shkojë deri në atë pikë sa për të krijuar territore etnikisht të pastra.

Vërtetë nuk do të thosha se është kështu, por ndoshta për strukturën etnike do të duhej në një mënyrë të kihet kujdes, ndoshta jo me këtë kërkesë apo qoftë edhe me të,. Por, në çfarëdo rasti kjo nuk duhet të jetë diçka që i çrregullon në masë shumë më të madhe marrëdhëniet ndëretnike. Kjo do të ishte vërtet katastrofë e madhe”, tha Kërstoviq.

Ndryshe, Aleksandar Vulin ka theksuar se në qoftë se Beogradi, në bisedimet me Prishtinën, lidhur me bashkësinë e komunave serbe, nuk do të mund t’i sigurojë kompetencat për planifikim hapësinor, me çka kjo bashkësi do të jepte lejet për ndërtimin e shtëpive, atëherë, sipas tij, përplasjet ndëretnike janë krejtësisht të mundshme.
XS
SM
MD
LG