Ndërlidhjet

Albana Gashi: Të marrë fund stigmatizimi i grave të dhunuara


Ilustrim
Ilustrim

Në kuadër të debatit për përfshirjen e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë në ligjin që mbron kategoritë e dala nga lufta, Radio Evropa e Lirë ka intervistuar Albana Gashin, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Propozimi për ndryshimin e ligjit në fuqi ka ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kërkon që kategoria e grave të dhunuara të mos veçohet nga kategoritë tjera që ndërlidhen me luftën.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Gashi, na thoni se a është eksploatuar debati për gratë e dhunuara? Ju ishit e para këtë vit, që përmendet çështjen e këtij projektligji, kurse tani po del se po eksploatohet politikisht kjo gjë...

ALBANA GASHI
Ka shumë deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët e kanë trajtuar këtë çështje shumë ndryshe për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka iniciuar këtë projektligj. Atë ditë në Kuvend ne kemi dëgjuar shumë vërejtje, shumë kritika në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje, si inicuese e këtij projekt ligji.

Mirëpo, nuk kemi dëgjuar ndonjë kritikë që ka qenë konstruktive. Kemi dëgjuar shpeshherë deputetë, të cilët kanë thënë që ky ligj ka hapësira, ky ligj ka zbrazëti, por në asnjë moment nuk kemi dëgjuar se ku janë ato zbrazëtira, apo ku janë ato hapësira!

Përveç kësaj ka pasur arsyetime, ka pasur argumente, gjoja se Lëvizja Vetëvendosje inicimin e këtij ligji e ka bërë vetëm për poena politik. Ka pasur edhe arsyetime tjera, për shembull deputeti [v.j. Bekim Haxhiu] Kamishi na ka quajtur hipokritë.

Edhe arsyetimi i tij, i njëjtë ka qenë që po e bëjmë për poena politik. Ka pasur edhe deputetë tjerë të cilët as që e kanë lexuar projektligjin dhe kanë dhënë vërejtje të cilat as që janë të përfshira në këtë projektligj. Pra diçka që ka qenë inekzistente në këtë ligj.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju doni ta amendamentoni ligjin për të drejtat e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve, doni të përfshini kategorinë e grave, fëmijëve, burrave të dhunuar gjatë luftës në kategorinë e këtij ligji, apo jo?

ALBANA GASHI
Po. Kjo nuk ka qenë ide fillimisht e Vetëvendosjes, që të bëhet plotësim ndryshimi i këtij ligji. Kjo ide ka qenë e vetë viktimave, vetë këtyre grave, këtyre personave në përgjithësi, të cilët i kanë mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit. Kërkesë e tyre ka qenë që të jenë pjesë e projektligjit,n i cili është në fuqi, Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave civile të luftës, dhe Familjarëve të tyre.

Kjo ka qenë për arsye, se edhe këta persona, pra persona të dhunuar, janë si pasojë e luftës së fundit. Njëjtë si kategoritë tjera,e dhe kjo kategori ka dal nga lufta dhe vetë kërkesë e tyre ka qenë që të përfshihen në ligjin aktual, në mënyrë që të mos vazhdojnë stigmatizimi i mëtejmë i kësaj kategorie. Pra, nuk duan të trajtohen veçantë nga kategoritë tjera, të cilat janë të përfshira në ligjin në fuqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Po del se pikërisht kjo çështje po e pengon që të miratohet ky projektligj, sepse nuk duan, partia në pushtet të paktën, një deputet i saj ka thënë se nuk duan t’i përziejnë veteranët e UÇK-së dhe të gjithë të tjerat kategori që janë të përfshira në ligj, me viktimat që janë abuzuar seksualisht gjatë luftës…

ALBANA GASHI
Po e kam lexuar një intervistë, të një deputeti në pushtet, Shaip Muja, të cilit nuk i ka mjaftuar ajo çfarë ka thënë atë ditë në Kuvend, i cili ka kërkuar një ekspertizë nga këta persona, pra nuk i ka mjaftuar që ka fol atë ditë në kuvend dhe ka vazhduar edhe më tej ta shpërfaq atë përçmimin e tij që ka ndaj këtyre personave.

Te ligji aktual, që është në fuqi, nuk janë të përfshirë vetëm ushtarët e UÇK-së. Në këtë ligj janë të përfshirë të gjitha kategoritë tjera. Ne nuk kemi parë një reagim atëherë kur është miratuar ky ligj, nuk e kemi parë reagimin e njëjtë, të cilin e ka tash deputeti Shaip Muja. Pra, ky me këtë qëndrim të tij, duke kërkuar një ligj të veçantë, po e kërkon stigmatizimin e mëtutjeshëm të këtyre personave.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të thotë kjo?

ALBANA GASHI
Kjo do të thotë, që kjo kategori, do të vazhdojë të shkelet, të përbuzet, të mos trajtohet, ashtu siç ka ndodh deri në vitin e fundit, pra deri para dy jave kur është miratuar në parim, ky projektligj.

RADIO EVROPA E LIRË
A po del tani, se është më shumë një betejë mes forcave politike, sesa që është një debat i mirëfilltë për të rehabilituar këto viktima?

ALBANA GASHI
Duke parë edhe qëndrimet edhe atë ditë në kuvend, dhe debatit që është zhvilluar në Kuvend, duke mos qenë fare konstruktiv, dhe duke pa deklaratat pas miratimit të këtij projektligji në parim, si dhe intervistat që kanë pasur në mediume të ndryshme, këta deputet po shpërfaqin një luftë haptas me Lëvizjen Vetëvendosje. Këta deputet po del se nuk e kanë miratuar projektligjin, vetëm sepse ka qenë iniciativë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë gjë na e kanë thënë edhe në një takim që e kemi pasur me dyer të mbyllura! Se është dashur gjoja që të ftohen fillimisht të gjitha subjektet tjera që ta hartojmë së bashku këtë iniciativë, këtë projektligj. Mirëpo ne u kemi bërë ofertë për dorëzimin e amendamenteve është dy javë. Mirëpo asnjë parti, deri më tani, nuk e dimë që ka dorëzuar ndonjë amendament. Pra, ata po e marrin si çështje personale këtë punë.

RADIO EVROPA E LIRË
Fare për fund, janë viktima apo nuk janë viktima, të dhunuarit gjatë luftës?

ALBANA GASHI
Në njëfarë mënyre këta persona janë heronj. Këto gra janë heroina. Edhe pse ligjërisht, apo me këto terma juridike, kanë emrin viktima civile të luftës, mirëpo këta persona duhet të trajtohen si heroina dhe jo viktima. Në fakt këto janë viktima të gjalla. Por është shumë e rëndë për t’i quajtur viktima, sepse po them edhe njëherë këto janë heroina.

Këto janë rastet më të prekura, duke pas parasysh që këto janë ballafaquar për së afërmi me armikun serb, duke ditur se ata kanë pasur luftë speciale; dhe dhunimi është përdorur si luftë speciale, dhe ato janë dhunuar për vetë faktin se ato janë shqiptare.
XS
SM
MD
LG