Ndërlidhjet

Thaçi takoi ambasadorët e Kuintit dhe të BE-së


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në takime të ndara ambasadorët e vendeve të Kuintit, si dhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë.

Temë kryesore e takimeve ishte dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Kryeministri Thaçi, në të dyja takimet, ka njoftuar ambasadorët për takimin e shtatë me kryeministrin e Serbisë, të zhvilluar në Bruksel, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Sipas njoftimit për media, Thaçi ka thënë se takimi është përcjellë me gatishmërinë për të lëvizur përpara dhe ka shtuar se megjithëse është shënuar progres, ende nuk është arritur marrëveshja.

Me theks të veçantë, në takimin në Bruksel, është biseduar për integrimin e plotë të pjesës veriore të vendit në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ata të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë, thuhet se kanë vlerësuar lart ”përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të kryeministrit Thaçi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

“Integrimi i pjesës veriore të Kosovës do të bëhet duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës”, citon kumtesa ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ata të BE-së.
XS
SM
MD
LG