Ndërlidhjet

KDI: Mungesë e transparencës në institucionet publike


Prishtinë

Prishtinë

Paraja publike në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës, vazhdon të shfrytëzohet në mënyrë të pakujdesshme dhe jotransparente.

Nga mungesa e përgjegjësisë së këtyre ministrive dhe mungesa e llogaridhënies ndaj qytetarëve, thuhet në hulumtimin e KDI-së, ka projekte të cilat vonohen vazhdimisht apo nuk fillojnë fare.

KDI po ashtu thekson se ka projekte, të cilat realizohen, mirëpo devijojnë nga kriteret e përcaktuara, duke dëmtuar cilësinë me gjithë shumat e parave që paguhen për ato.

“Janë hasur 4 kontrata, për të cilat veçanërisht janë ngritur dyshime rreth ligjshmërisë së tyre. Rasti i parë ka të bëjë me insulinat, për të cilin produkt Ministria e Shëndetësisë paguan miliona euro çdo vit, pasi i njëjti bar është në listën esenciale. Gjithashtu edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, janë gjetur dy kontrata të cilat kanë probleme. Kontrata për Sinjalizim, në të cilën çmimi për ndriçimin e rrugëve për dritat LED është kontraktuar për 6 euro, ndërkohë që çmimet e tregut janë 200 euro mesatarisht”, thuhet në hulumtim.

Ndërkaq, te Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural tregohet se është vërejtur mosrespektimi i afateve kohore për parashtrimin e ankesave nga ana e bizneseve.

Ndryshe, menaxhimi i financave publike është kritikuar vazhdimisht nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Ata kanë vlerësuar se paraja publike po keqpërdoret dhe po menaxhohet në mënyrën me të dobët të mundshme, duke krijuar kështu probleme të mëdha ekonomike.
XS
SM
MD
LG