Ndërlidhjet

Terapi të mjaftueshme për HIV


Kosova numëron 86 persona të prekur me HIV/AIDS, prej tyre 46 me AIDS dhe 40 me HIV infeksion.

Nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë në Kosovë, kanë vdekur 38 persona.

Sipas epidemiologëve, mosha më e përfshirë me HIV/AIDS është 25 -34 vjeç, derisa sipas tyre, në aspektin gjinor 69 për qind janë meshkuj.

Alban Gjonbalaj udhëheqës i Organizatës për personat që jetojnë me HIV në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet me të cilat ballafaqohet kjo kategori e shoqërisë, janë të natyrave të ndryshme.

Sipas tij, sa i përket furnizimit me terapi, këtë vit gjendja është e mirë.

"Vitin e kaluar kemi pasur shumë problem me terapi dhe tash është bërë furnizim i mirë me barna. Klinika infektive është e pajisur mirë me barna dhe trajtimi është në rregull", shprehet Gjonbalaj.

Ndërkaq, doktoresha Luljeta Gashi thotë se Kosova bën pjesë në grupin e vendeve me prevalencë të ulët të infektimit me HIV, por që sipas saj, kjo problematikë nuk duhet minimizohet.

"Në sistemin e UN AIDS-it, në klasifikimin e HIV-it dhe AIDS-it, Kosova bën pjesë në grupin e vendeve me prevalencë të ulët nën 1 për qind, andaj ekziston tendenca e minimizimit dhe nënçmimit të këtij problemi. Ekziston rreziku i nënçmimit të rolit të aktiviteteve parandaluese në këtë fushë", thekson Gashi.

Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se në vitin 2003 ka filluar puna në Qendrat për këshillim dhe testim vullnetar në Kosovë, derisa në shkurt të vitit 2005 ka filluar të përdoret terapia retrovirale për personat që jetojnë me HIV.

Këto qendra ofrojnë sot shërbime falas dhe deri tani në këtë qendër janë testuar dhe këshilluar rreth 3 mijë klientë.

Por, zoti Gjonbalaj thekson se pas marrjes së trajtimit në klinikën infektive, herë pas here paraqiten probleme në klinika tjera.

"Kur kanë probleme shëndetësore(personat me HIV/AIDS), dhe kanë nevojë për klinika tjera brenda QKUK-së , atëherë duhet kohë deri sa të merret parasysh kjo punë dhe derisa fillohet me procedura, në mënyrë që pacientët të fillojnë trajtimin".

Inflektologu Izet Sadiku, deklaron për Radion Evropa e Lirë se personat me HIV/AIDS që kanë nevojë për intervenime çfarëdo qofshin ato, trajtohen në gjitha klinikat brenda QKUK-së, duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur raste të refuzimit.

"Ato janë raste specifike që donë një kujdes më të veçantë, por deri tash nuk ka pasur ndonjë refuzim për intervenim ndaj tyre. Ne i njoftojmë stafin mjekësor për diagnozën e personit, dhe nuk ka pasur ndonjë refuzim. Rastet me HIV që marrin terapi te ne, gjendja e tyre është shumë e mirë, përpos njërit që ka qenë në gjendje të rëndë dhe iu është dashur të ekzaminohet në klinika tjera dhe pa problem është kryer puna", thotë Sadiku.

Ekspertë shëndetësorë thonë se me këtë sëmundje, njerëzit jetojnë shumë vjet, andaj terapia nuk bën të ndërprehet, meqë mund të ndikojë që manifestimi i sëmundjeve të rënda të vijë më herët se sa që do të vinte me marrjen e terapisë së rregullt.

Sipas përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, Kosova konsiderohet si vend me prevalencë të ulët sa i përket HIV/AIDS-it, por faktorët e rrezikut - trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme - janë të pranishme.
XS
SM
MD
LG