Ndërlidhjet

"Shkupi 2014": Polemika pozitë - opozitë


Shkupi 2014 - Foto: Zerijeta Hajro - Jajaga
Shkupi 2014 - Foto: Zerijeta Hajro - Jajaga
Polemikat ndërmjet pushtetit dhe opozitës për rezultatin e zgjedhjeve në Komunën Qendër të Shkupit, që përfunduan me epërsi për kandidatin e opozitës, Andrej Zhernovski, kanë të bëjnë me projektin kundërthënës “Shkupi 2014”.

Analistët politikë konsiderojnë se epërsia e theksuar e opozitës maqedonase në raundin e parë në Komunën Qendër të Shkupit, ku është i vendosur projekti “Shkupi 2014”, i cili ende pa përfunduar tërësisht tejkalon vlerat mbi 1 miliard euro edhe atë me 49,18 për qind vota të fituara, tregon qartë se qytetarët e Shkupit nuk e mbështesin këtë projekt, edhe pse në pjesën më të madhe të Maqedonisë u kanë thënë po projekteve të partisë së kryeministrit Gruevski, i cili në këto zgjedhje doli me moton “Voto për vepra”.

Arsim Sinani, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, shprehet se fitorja e opozitës dëshmon se qytetarët e Maqedonisë, gjegjësisht shkupjanët refuzojnë këtë projekt të Qeverisë, i cili për ngritjen dhjetëra përmendoreve të ndryshme në territorin e kësaj komune ka harxhuar disa miliona euro në kohën kur Maqedonia përballet me krizë të rëndë ekonomike dhe rritje të numrit të të papunëve, por edhe më e keqja krijon ndasi edhe brenda vetë maqedonasve .

“Shumica e qytetarëve në Komunën Qendër janë maqedonas dhe nëse ata do të ishin të lumtur me atë që reflekton projekti ‘Shkupi 2014’ do ta kishin votuar, me atë që Gruevski fiton pothuajse gjithkund në Maqedoni, por jo në komunën Qendër. Maqedonasit i kanë treguar se ne dëshirojmë zhvillim ekonomik, dëshirojmë bashkëpunim ekonomik, e dëshirojmë BE, e dëshirojmë NATO-n, por nuk e duam Shkupin që krijon një identitet, për të cilin ne nuk jemi”, thekson Sinani.

Ndryshe, kandidati i opozitës, Andrej Zhernovski, ditë më parë akuzoi pushtetin se tenton t’i vjedhë fitoren duke falsifikuar rezultatin zgjedhor, por ai u shpreh i bindur se pavarësisht manipulimeve të shumta, ai do të jetë fitues.

Mirjana Najcevska, aktiviste për të drejtat e njeriut, konsideron se tentimi për të mohuar fitoren e kandidatit të opozitës, ka të bëjë edhe me vendimet e shumta që janë miratuar nga ana e kësaj komune për projektin “Shkupi 2014”, e për të cilat ka pasur polemika dhe akuza të shumta për afera korruptive.

Njëherësh ajo apostrofon dhe faktin se në realizimin e projektit në fjalë, aspak nuk ishte i përfshirë mendimi i qytetarëve.

“Njerëzve, thjesht, nuk iu pëlqen ajo që i ndodh qytetit të tyre, pa pasur mundësi që ata të shprehin mendimin e tyre. Mendoj se mungesa e participimit të qytetarëve në sjelljen e vendimeve se ka hise të theksuar në kundërshtimin e qytetarëve ndaj instalimit të politikës aktuale”, thekson Najceska.

Ajo fitoren e Zhernovskit nuk e sheh si fitore të opozitës, por si guxim intelektual i qytetarëve të Shkupit për të parandaluar keqmenaxhimin e kryeqendrës.

“Kjo komunë kryesish përbëhet nga njerëz të pavarur. Kur e them këtë mendoj të pavarur në aspektin intelektual, dhe njëherësh të pavarur në veprimin e tyre si elitë intelektuale, dhe pikërisht ata kanë përgjegjësinë që t`i thonë ‘jo’ një projekti që dëmton interesat e Maqedonisë si shtet”, vlerëson Najcevska.

Ndërkaq, për projektin “Shkupi 2014” më parë qenë organizuar edhe protesta nga organizatat joqeveritare si dhe ka pasur polemika të shumta në Kuvend ndërmjet partive politike.

Ky projekt është iniciuar nga pushteti me qëllim të ngritjes së vetëdijes kombëtare te maqedonasit për prejardhjen e tyre antike, gjë të ka shkaktuar reagime të shumta edhe nga Athina zyrtare.

Ndërkohë, vendosja e përmendoreve të disa heronjve maqedonas ka nxitur polemika edhe mes vetë maqedonasve sa i përket veprimtarisë së tyre dhe idetë probullgare si ajo e Todor Aleksandrovit.
XS
SM
MD
LG