Ndërlidhjet

Hoxhaj pret përparim më 2 prill


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pret përparim në dialogun me Serbinë, kur kryeministrat e të dyja vendeve të takohen javën e ardhshme për rrethin e tetë të bisedimeve.

“Ky është një dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve të pavarura. Mendoj se do të kemi përparim më 2 prill. Jemi duke punuar për këtë, por mendoj se arsyeja përse nuk kemi pasur përparim është në Beograd dhe jo në Prishtinë”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për agjencinë Reuters.

Bisedimet që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, zhvillohen në Bruksel, nën ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Tema më e nxehtë e dialogut është vlerësuar të jetë veriu i Kosovës, ku banorët lokalë serbë nuk pranojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare, ndërsa Beogradi financon strukturat e veta paralele që nga paslufta.

Hoxhaj ka shfaqur bindjen se askush në Bruksel nuk është i interesuar në krijimin e një Republike Serbe në veri të Kosovës.

“Secili që propozon këtë është kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Hoxhaj, për të theksuar se Kosova nuk mund të pranojë asnjë lloj të autonomisë serbe në veri.

“Kjo është vija jonë e kuqe; përndryshe, Kosova do të bëhej një shtet jofunksional”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare, i cili ndodhet për vizitë në Paris.
XS
SM
MD
LG