Ndërlidhjet

Presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Tash kur kanë mbetur më pak se një javë nga takimi i radhës, më 2 prill, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq, në kuadër të dialogut në Brukseli, presioni ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshje, për Asociacionin e komunave serbe, është shtuar dhe pritet që ky presion të sjellë rezultate, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Ditë më parë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka theksuar se “është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kapin momentin dhe të arrijnë marrëveshje javën e ardhshme”, si dhe ka shprehur mendimin se kjo mundësi nuk mund të kthehet.

Analisti i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se këshillat e diplomatëve nga bashkësia ndërkombëtare, tashmë janë duke u shfaqur në formën e insistimit për tu arritur marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse presioni më shumë anon drejt Serbisë.

Ka edhe elementin ultimativ ose një lloj presioni i fundit që ta shfrytëzojnë shansin, sepse më pas nuk dihet se kur ju del shansi. Sidomos për Serbinë, sepse ajo e ka para vetes, në fakt edhe një objektiv tjetër, që t’i mundësohet që ti marrë negociatat për anëtarësim në BE. vërtet kjo është java ose janë ditët e fundit kur kjo duhet të vendoset, sepse sa po merret vesh edhe Kethrin Eshton e ka caktuar si datën e fundit 2 prillin, sepse duhet të raportoj edhe për Komisionin Evropian”, thotë Maliqi.

Njohësi tjetër i rrethanave dhe zhvillimeve politike, Adian Arifaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni mbi palët për të arritur një marrëveshje dhe të vlerësuarit se rasti i tanishëm është si rast që nuk kthehet, është i arsyeshëm.

Kjo, sipas tij, është për shkak se gjatë vitit të ardhshëm, por edhe më pas, pritet që vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare të orientohet në vatrat tjera të krizës në botë dhe se kjo vëmendje ndaj Ballkanit, përfshi këtu edhe Kosovën dhe Serbinë, do të zvogëlohet.

Siç thotë ai, mesazhet po ju drejtohen të dyja palëve, varësisht nga sjelljet e tyre gjatë dialogut.

Pra, në këtë rast, janë kërkesat e Serbisë ato që janë në kundërshtim me interesat afatgjate të bashkësisë ndërkombëtare e sigurisht që këto mesazhe – më parë do t’i quaja mesazhe dashamirëse se sa dashakeqe – i drejtohen, ndoshta këtë herë dhe në këtë raund, më tepër Beogradit që vërtet të tregohet konstruktiv".

"Të fillojë të mendojë që ta pranojë së pari ekzistencën e Kosovës si shtet, të drejtën e Kosovës që të ekzistojë dhe funksionojë si shtet, si dhe të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, si dhe që ajo të fillojë të ofrojë paqe, prosperitet për qytetarët e vet
”, shprehet Arifaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Beogradi ka kërkuar që Asociacioni i Komunave serbe të ketë përgjegjësi precize ekzekutive për gjyqësinë, policinë, planifikimin hapësinor, shëndetësinë dhe arsimin, gjë që është kundërshtuar nga Prishtina.

Njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike vlerësojnë se megjithatë Beogradi do të lëshoj pe. Por, edhe nëse një gjë e tillë eventualisht nuk ndodhë dhe nuk arrihet marrëveshja, ata nuk presin përshkallëzim të situatës në veri të vendit.

Në një rast të tillë, Maliqi thotë se do të vazhdojë konflikti i ngrirë.

Nuk ka gjasa që të shpërthejë. Do të mbetet një lloj konflikti i ngrirë, por varet se kush do të piketohet si fajtor. Meqenëse, Serbia më shumë është e pakënaqur, sepse patjetër donte që të ketë kompetenca për këtë Bashkësinë e komunave serbe, do të ndodhë si herëve të tjera, që Serbia i ka humbur të gjitha rastet, prej Rambujesë e deri më sot, sepse ka kërkuar më shumë se sa që ka mundur objektivisht të nxjerrë”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ka edhe Arifaj, i cili, po ashtu, nuk pret ndonjë përkeqësim të situatës në veri të vendit edhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në Bruksel.

Sigurisht që nuk mund të presim ndonjë përshkallëzim të dhunë në vend. As Kosova e sidomos Serbia, nuk janë të interesuara për këtë, sepse e dinë që kushdo që e përdorë dhunën, është duke e luajtur një lojë që sigurisht do ta humbë. Kemi parë edhe nëpër media që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke sjellë një kontingjent, do të thosha, të jashtëzakonshëm të ushtarëve që do të vendosen kryesisht në pjesën veriore të Kosovës".

"Janë ushtarë që kanë bërë përvojë në vatrat e luftës nëpër glob dhe po vijnë këtu që të sigurohen që as nuk do të ketë përshkallëzim, por edhe do të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes eventuale për veriun e Kosovës”, thekson Arifaj.

Njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike kanë vlerësuar se Kosova nuk duhet të tërhiqet nga pozicioni i saj lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave serbe, sepse në të kundërtën do ta shndërronin vendin në një shtet jofunksional.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG