Ndërlidhjet

Bankat e Qipros rihapen me kufizime drakoniane


Qipro...
Qipro...
Bankat e Qipros, pas gati dy javësh të mbyllura, kanë rihapur dyert për qytetarët, por vetëm për gjashtë orë në ditë.

Ato janë mbushur me të holla gjatë natës, ndërsa pranë tyre janë vendosur forca të shumta të sigurisë.

Radhë të gjata njerëzish janë formuar po ashtu para bankave, ndonëse konsumatorët kontrollohen rreptësisht për sasinë e parave që mund të tërheqin brenda ditës.

Kontrollet drakoniane, të përfshira në një dekret të Ministrisë së Financave, kufizojnë tërheqjen e parave të gatshme në 300 euro në ditë dhe ndalojnë shndërrimin e ceqeve në para.

Kontrollet e tjera kufizojnë përdorimin e kredit-kartelave qipriote jashtë vendit, ashtu si edhe sasinë e parave të gatshme që mund të marrin qytetarët kur udhëtojnë jashtë Qipros.

Kufizimet në lëvizjen e lirë të kapitalit paraqesin shkelje të madhe të një parimi të Bashkimit Evropian, thonë disa analistë.

Por, Komisioni Evropian ka justifikuar veprimin, duke thënë se “stabiliteti në tregjet financiare dhe sistemin bankar në Qipro përbën një çështje me interes publik”.

Qiproja duhet të mbledhë 5.8 miliardë euro për t’u kualifikuar për kredinë prej 10 miliardë eurosh nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel më 25 mars, depozituesit me më shumë se 100,000 euro do të humbin një pjesë të konsiderueshme të kursimeve të tyre. Qiproja po ashtu është pajtuar për reforma të mëdha në sistemin e saj bankar.

Shumë ekonomistë parashohin që masat e kontrollit të zgjasin disa muaj.

Marrëveshja me treshen ndërkombëtare i ka ndihmuar Qipros që të shmangë falimentimin dhe daljen e mundshme nga Eurozona, por ka shkaktuar zemërim te madh në mesin e qytetarëve.

Mendoj se duhet të harrojmë treshën e kreditorëve, e cila na ka detyruar të ndërmarrim masa shtrënguese. Qytetarët nuk kanë bërë asnjë të keqe. Bankat janë ato që duhet të paguajnë dhe jo populli”, shpreh revoltën Mathew Elefteriou, një qytetar rreth të 20-tave.

Qiproja është vendi i parë i Eurzonës që ka vendosur kontrrolle të kapitalit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG