Ndërlidhjet

Përparësi produktit vendor në tenderët publikë


Fabrikë në Kosovë
Fabrikë në Kosovë
Autoritetet e Kosovës ende nuk kanë arritur të bëjnë plotësim-ndryshimin e Ligjit të prokurimit publik, me të cilin ndryshim ishte paraparë që prodhuesit kosovarë të kenë përparësi në tenderët publikë me prodhimet e shteteve tjera, edhe nëse janë 15 për qind me çmime më të larta.

Ky ndryshim ishte iniciuar vitin e kaluar nga Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Por, deri më tani, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Isrefi, ky ligj ka arritur të procedohet te zyra ligjore e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe pritet që deri në qershor të këtij viti, të kalojë në Kuvend.

“Ky ndryshim që është iniciuar në Ligjin për prokurim publik, mundëson që në të gjitha kontratat publike të kenë përparësi produktet dhe shërbimet vendore në krahasim me produktet dhe shërbimet ndërkombëtare. Kjo do të jetë pika kryesore që do të merret parasysh në të gjithë tenderët e institucioneve publike”, bën të ditur Istrefi.

Në shumë shtete të botës, të cilat kanë ekonomi të zhvilluar, përparësitë për prodhimet vendore në kontratat publike, ekzistojnë shumë kohë më parë.

Serbia këtë e ka të rregulluar me ligj që nga vitit 1991, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës një përparësi të tillë iu kanë dhënë produkteve vendore që nga viti 1934.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se deri më tani prodhuesit vendorë nuk i kanë gëzuar këto privilegje që mund t’i kenë prodhuesit e vendeve tjera, por që është shumë e nevojshme hyrja në fuqi e këtyre përparësive për prodhuesit vendorë.

“Deri më tani nuk ka pasur asnjë dallim ndërmjet produktit vendor dhe produkteve të vendeve tjera. Por, duhet të kemi kujdes se ne kërkojmë që të ketë përparësi produkti vendor dhe jo biznesi vendor, për arsye se çdo i huaj mund të regjistrojë biznesin në Kosovë dhe ai të ketë tretman të biznesit vendor, e produktin e merr nga jashtë. Deri më tani nuk kanë qenë këto privilegje, derisa vendet tjera e bëjnë një gjë të tillë”, shpjegon Shahini.

Sektori i prodhimit është njëri nga sektorët më të pazhvilluar në Kosovë.

Në bazë të të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, sektori i prodhimit në Kosovë shfrytëzon 63.9 për qind të kapaciteteve prodhuese, ndërsa 36.1 janë kapacitete të pashfrytëzuara.

Sipas këtyre të dhënave të BQK-së në nivel të industrive, industria e plastikës dhe gomës ka nivelin më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, e cila arrin në 83.0 për qind të kapaciteteve prodhuese.

Por, nëse Qeveria e Kosovës do të ndihmonte prodhimin vendor, në këtë mënyrë duke iu dhënë përparësi në tenderët publikë, atëherë siç thonë përfaqësuesit e shoqatave ekonomike, ky sektor do të zhvillohej dhe, rrjedhimisht, do të kishte ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Gjithsesi do të ndihmojë drejtpërdrejt biznesin dhe do t’i ndalojë paratë që të dalin jashtë Kosovës, por ato para të futen edhe një herë në shërbim dhe t’i kthehen qytetarit dhe biznesit vendor në aktivitetin e vet që do të ofrojë gjatë punës dhe shërbimit, qoftë shërbime kapitale, apo të tjera nëpër institucionet e Kosovës”, shprehet Shahini.
XS
SM
MD
LG