Ndërlidhjet

Protestë e qetë në Mitrovicë, kundër dialogut


Disa mijëra qytetarë shqiptarë, janë tubuar të shtunën në anën jugore të qytetit të Mitrovicës në protestën me moton “Bashkohemi në Mitrovicë”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, për të kundërshtuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në protestë janë kundërshtuar marrëveshjet e arritura në këtë dialog, e sidomos arritja eventuale e një marrëveshjeje më 2 prill në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq, për Bashkësinë e komunave serbe.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve të mbledhur në Mitrovicë duke thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pa parime dhe për çështje të brendshme të Kosovës.

“Ky tubim është kundër marrëveshjeve të paralajmëruara për 2 prill dhe kundër këtij dialogu pa parime që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku temat janë çështje të brendshme të Kosovës dhe Serbia nuk e ka asnjë kusht, asnjëherë për asgjë. Po u bë të martën, më 2 prill, kjo marrëveshje, ky tubim protestues në Mitrovicë, do të vazhdohet me demonstratë gjithë-popullore në Prishtinë”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se veriu i Mitrovicës ka nevojë që të pastrohet nga strukturat ilegale dhe të sigurisë të Serbisë, ndërkaq pjesa jugore e këtij qyteti, siç ka thënë ai, duhet të pastrohet nga pjesëtarët e SHIK-ut.

Kurti ka kërkuar bashkimin e qytetit, i cili vazhdon të jetë i ndarë tash e 13 vjet dhe sipas tij, për bashkimin e këtij qyteti, nevojiten hapa paraprakë:

Albin Kurti, 30 mars, Mitrovicë
Albin Kurti, 30 mars, Mitrovicë
“Mitrovica bashkohet vetëm prej atyre që e duan me gjithë mend bashkimin e saj. Bashkimi i Mitrovicës dhe integrimi i veriut mundësohet nga dy hapa paraprak që e sjellin shtetin e Kosovës në ofensivë. Hapi i parë është ndërprerja e menjëhershme e dialogut me Serbinë. Kurse, hapi i dytë është moslejimi i mallrave të Serbisë në Kosovë. Me këta dy hapa, Serbia bie në defansivë dhe shteti i Kosovës e rimerr ofensivën”.

Kurti ka shtuar se tubimi protestues i së shtunës në Mitrovicë nuk është kundër serbëve, por kundër shtetit të Serbisë, i cili, siç është shprehur ai, po i instrumentalizon serbët kundër shqiptarëve.

Ai, po ashtu, e ka akuzuar Qeverinë për korrupsion dhe hajni. Të njëjtat akuza i ka përmendur edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë se korrupsioni dhe hajnia po ndodhin në institucionet qeveritare, ndërkohë që Mitrovica mbetet qyteti më i varfër në Kosovë dhe me më së paku investime dhe përkujdesje.

Sipas tij, 13 vjet më parë, në veri të Kosovës ka ndodhur dëbimi më i madh i popullatës shqiptare që jetojnë atje dhe se qytetarët ende nuk po mund të kthehen në pronat e veta.

Nënshkrimi eventual i marrëveshjes më 2 prill në Bruksel, sipas tij, nuk do të jetë i vlefshëm para qytetarëve të Kosovës.

“Ne e kemi një mesazh për Hashim Thaçin, Qeverinë e Kosovës dhe ata që duan të mbajnë Mitrovicën: Ju mund të nënshkruani më 2 prill. Mund të nënshkruani edhe bashkimin e komunave serbe, por ky nënshkrim nuk është i vlefshëm për ne dhe nuk do të vlejë për qytetarët dhe popullin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Ahmeti.

Gjatë gjithë kohës, fjalimet e liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje janë përcjellë me ovacione nga protestuesit.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se nuk ka pasur incidente gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka theksuar se pjesëmarrës në protestë kanë qenë rreth 2 mijë qytetarë.

“Ajo që vlen të theksohet është vetë organizimi i mirë dhe mbajtja nën kontroll, të shumtën e rasteve, nga vetë organizatorët. Ndërsa, ne konsiderojmë se kanë qenë diku rreth 1 mijë e 500 e deri në 2 mijë pjesëmarrës në këtë tubim, i cili është përmbyllur në mënyrë të qetë, pas përfundimit të fjalimeve”.

“Policia e ka pasur në fokus mbajtjen e rendit, kryesisht në kontrollin e trafikut dhe në krijimin e një hapësire të lirë për një protestë të qetë dhe nuk ka pasur nevojë që të aktivizohen njësitet tjera të rendit me qëllim që të kontrollojnë këtë protestë. Do të thotë, e tëra ka kaluar qetë, ashtu siç edhe ka qenë paralajmëruar nga vetë organizatorët”
, ka bërë të ditur Hoti.

Ndryshe, në tubimin e së premtes protestues, përveç qytetarëve të Mitrovicës, kanë marrë pjesë edhe qytetarë nga qytete dhe rajone të ndryshme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG