Ndërlidhjet

Në 14-vjetorin e bombardimeve, pankarta antisemitike në Beograd

  • RFE /RL

Pankartat antisemitike

Pankartat antisemitike

Autoritetet e Serbisë e kanë dënuar paraqitjen e pankartave antisemitike në rrugët e Beogradit, që shënonin 14 vjetorin e bombardimeve të NATO-s për t’i ndalur forcat e Serbisë në Kosovë.

“Ata që e çnderojnë Serbinë me këto pankarta antisemitike do të kapen dhe dërgohen para drejtësisë”, u ka thënë gazetarëve, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duket se pankartat sugjerojnë se Izraeli kishte dorë në bombardimet e NATO-s në pranverë të vitit 1999.

Në to paraqitej harta e Serbisë dhe fotografitë e ndërtesave të shkatërruara nga bombardimet, ndërsa një aeroplan me Yllin e Davidit – simbol i Judaizmit – shihej duke fluturuar sipër tyre, i gatshëm për të hedhur bombë.

Në pankarta përfshihej edhe mesazhi “14 vjet pas bombardimeve, terrori i tyre vazhdon”, i nënshkruar nga organizata ultranacionaliste serbe, “Gjaku dhe Nderi”, raporton AFP, duke u mbështetur në fotografitë e paraqitura në shtypin lokal.

Ambasada e Izraelit në Beograd, poashtu, i ka dënuar këto pankarta, duke thënë se është e “vetëdijshme se ky incident nuk reflekton qasjen e shoqërisë serbe, e cila i ka respektuar shtetasit hebrenj nëpër histori”.

Bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Serbi dhe Kosovë, që filluan më 24 Mars të vitit 1999 dhe zgjatën 78 ditë, kishin për qëllim largimin e forcave serbe nga Kosova, që ushtronin shtypje ndaj lëvizjes për pavarësi të shumicës shqiptare.(f.b.)
XS
SM
MD
LG