Ndërlidhjet

logo-print
VOX

Libri ndërmjet bibliotekës dhe internetit


Sallë leximi në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës

Sallë leximi në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës

Të rinjtë kosovarë frekuentojnë bibliotekat, apo sallat e leximit në fakultetet përkatëse, por lexojnë vetëm materiale, të cilat u nevojiten për provime.

Por, ka edhe të atillë që nuk i vizitojnë fare këto institucione, pasi thonë se versioni elektronik, apo leximi në internet, ka zëvendësuar versionin e shkruar.
Kështu thonë disa nga të rinjtë kosovarë për rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë.



Një nga to është Albulena Kika, nxënëse në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ajo thotë se zakonisht viziton bibliotekën e kryeqytetit “Hivzi Sylejmani”. Për këtë ajo ka paguan 10 euro në vit, e që ka të drejtë edhe huazimin e librit në shtëpi në afat prej 15 ditësh.

“Kryesisht lexoj romane që më jep profesoresha, por edhe për të mirën time. Mua ma merr mendja se është më mirë të lexohen libra të ndryshëm, sepse na duhen për më vonë. Nuk është shtrenjtë, ka shumë të interesuar, konkretisht gjenerata ime është shumë e pranishme në bibliotekë”, thotë Albulena.

Edhe Besarta Ceni, studente në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, thotë se viziton bibliotekën, ndërkaq lexon librat që i duhen për studime.

“Po, shkoj në bibliotekën 'Hivzi Sylejmani'. Atje është qetësi dhe ka më shumë mundësi për të mësuar. Literaturë e di se ka, por unë nuk marr, sepse lexoj literaturë të nevojshme për studimet e ekonomisë”, tregon Besarta.

Por, studentë të tjerë shfrytëzojnë sallat e leximit në fakultetet përkatëse. Njëri nga ta është Behar Pajaziti, student në vitin e parë , Departamenti i Psikologjisë, në Fakultetin e Filozofisë.

“ Më shumë lexoj në sallën e leximit të Fakultetit Filozofik. Ka libra të mjaftueshëm për studentë, unë lexoj më shumë libra, se sa në internet. Internetin shumë pak e përdori. Librat kanë më shumë efekt, mandej lexoj edhe romane dhe literaturë rreth fesë", shprehet Behari.

Disa të rinj të tjerë nuk vizitojnë bibliotekat, pasi, sipas tyre, interneti është duke i zëvendësuar librat. Shpati, nxënës i shkollës së mesme, konsideron se versioni elektronik është më atraktiv:

“Unë mendoj se një mjet më i mirë i informimit është kompjuteri dhe interneti. Aty informohemi rreth problemeve të jetës, politikës, arsimit dhe të gjitha problemeve që na rrethojnë”.

Por, ka edhe të atillë që mendojnë se leximi në versionin e botuar të librit është më relaksues se sa leximi në variantin elektronik.

Një nga ta është Blerimi, absolvent në Fakultetin Juridik:

“Unë mendoj se është libri. Zakonisht, të rinjtë kur hyjnë në internet, i lënë të hapura edhe rrjetet sociale, konkretisht facebook-un, dhe përdorin internetin gjoja për të lexuar, por nuk lexojnë. Unë më tepër e shfrytëzoj librin”.

E, maturanten Xheneta Krasniqi, nuk e tërheq ambienti i bibliotekës.

“Nuk shkoj asnjëherë, sepse nuk më pëlqen, nuk më tërheq. Mendoj se më mirë është në bibliotekë, por mua nuk më pëlqen, nuk e di pse. Kur të regjistrohem në fakultet, besoj se do të shkoj shpesh", thotë Xheneta.

Ndërkaq, Bibliotekën Kombëtare Universitare të Prishtinës, e viziton shpesh Dardan Morina, student në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Departamenti i Gjeografisë.

“Mbasi t'i përfundoj ligjëratat, vij në bibliotekë dhe përsëris ato që kam mësuar në ligjërata, por normal edhe për provime”, thekson Dardani.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është institucioni më i lartë bibliotekar në Kosovë. Ajo ka mandatin të krijojë dhe mirëmbajë rrjetin e bibliotekave publike të Kosovë.

Në kuadër të kësaj biblioteke, veprojnë edhe shtatë biblioteka ndërkomunale, një nga to është edhe Biblioteka “Hivizi Sylejmani", që ka pesë qendra në Prishtinë, ndërsa shtatë të tjera në fshatra të kësaj komune.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG