Ndërlidhjet

logo-print
Me gjithë faktin se në Maqedoni ekziston ligj i veçantë për financimin e partive politike në kuadër të pakos së ligjeve që rregullojnë funksionimin e partive politike, si dhe procesin zgjedhor, edhe në këto zgjedhje partitë politike kanë bërë shpenzime më shumë sesa që kanë arritur të marrin donacione

Kryesisht partitë në pushtet, VMRO DPMNE dhe BDI, gjatë fushatës zgjedhore kanë shpenzuar më shumë sesa që kanë arritur të mbledhin në konton e tyre, në bazë të donacioneve - tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, në bazë të raporteve financiare që kanë dorëzuar vetë partitë në këtë institucion.

Drejtuesja e organizatës joqeveritare "Transparency International", Sllagjana Taseva, bën të ditur se këto dy parti politike kanë shpenzuar më së shumti mjete për t`u reklamuar në televizionet kombëtare.

“Përfitim më të madh nga reklamimi politik gjatë fushatës parazgjedhore, ka pasur televizioni 'Alfa', nga partitë ka fituar 11.807.328 denarë, gjegjësisht rreth 192.000 euro. Në vendin e dytë për nga fitimi në rrethin e parë të zgjedhjeve është televizioni 'Alsat-M' me 9. 617 616 denarë, pak më tepër se 156.000 euro".

"Më së shumti para në televizionin 'Alfa' ka harxhuar VMRO-DPMNE-ja – 10.483.755 denarë, gjegjësisht rreth 70.000 euro. Derisa, BDI-ja aktivitete e saj partiake i ka reklamuar në 'Alsat-M' në vlerë prej 7.034.616 denarësh, gjegjësisht 114.200 euro. Pas këtyre televizioneve, përfitim më të madh nga zgjedhjet lokale kanë pasur televizionet 'Kanal 5' dhe 'Sitel'”
, bën të ditur Taseva .

Sipas saj, problem qenësor paraqet dallimi mes mjeteve të mbledhura dhe atyre të harxhuara gjatë fushatës zgjedhore.

“Madje, edhe sipas raporteve financiare të dorëzuara për dhjetë ditëshin e parë të fushatës, del qartë se disa parti kanë shpenzuar pothuajse 40 herë më shumë seç kanë arritur të sigurojnë në kontot e tyre”, shton Taseva, duke theksuar se ky fakt flet për mungesën e prezantimit të barabartë, veçanërisht në media.

Ndërkaq, Osman Kadriu, ekspert i çështjeve juridike, thotë se keqpërdorimi i mjeteve financiare gjatë fushatave zgjedhore, është si rrjedhojë e mungesës së pavarësisë së sistemit gjyqësor.

“Në Maqedoni kemi paraqitjen e dukurive që në brendinë e tyre kanë elemente të veprave të rënda penale. Mirëpo, mjerisht organet, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit duke filluar nga inspeksionet konkrete, përmes policisë, organet për ndjekje penale, prokurorisë dhe gjyqësorit, do të thotë kemi një heshtje totale, kemi një pasivitet total, kemi një oportunitet total dhe e gjithë kjo bërë që partitë politike, ndonëse jo të gjitha, por pjesa më e madhe e tyre, vepron kundër dispozitave dhe përcaktimit të ligjit në fjalë”, vlerëson Kadriu.

Sipas tij, për të parandaluar keqpërdorimet e ndryshme financiare gjatë fushatave zgjedhore, duhet precizuar në disa pjesë dispozitat ligjore që lënë hapësirë për t'u interpretuar në interes të partive politike.
XS
SM
MD
LG