Ndërlidhjet

Berisha: Na bllokuan rrugën dhe na sulmuan


Merdare...

Merdare...

Një shqiptar i Kosovës është lënduar rëndë të dielën mbrëma në territorin e Serbisë, pasi ishte detyruar të ndal autobusin me 55 udhëtarë në bord, në mes të malit, nga një makinë me targa të Nishit, e cila ia bllokoi rrugën.

Qazim Berisha, ngasësi i autobusit të kompanisë “BICI COM”, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk i di arsyet e sulmit, i cili ngjau pak kilometra pas kishte kaluar kufirin Kosovë-Serbi në Merdare.

“Incidenti ndodhi, ashtu që ata na kanë zënë rrugën, e nuk na lejonin me dalë. Ne ishim në autobus. Një makinë me regjistrim të Nishit, një (Volkswagen) Golf i kuq, edhe doli [njëri] para autobusit, duke na sulmuar”, rrëfen viktima e sulmit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar këtë incident, i cili ka ndodhur rreth orës 22h, rreth një kilometër në brendi të Serbisë, pas kalimit të pikës kufitare në Merdare.

Sipas zëdhënësit të policisë, Baki Kelani, autobusi po qarkullonte në relacionin Kosovë - Austri, dhe se është penguar që të lëvizë në rrugë.

“Informacionet të cilat ende nuk i kemi të konfirmuara zyrtarisht, bëhet fjalë që ka qenë një automjet, por nuk bëhet fjalë për një bllokim të paralajmëruar, ose bllokim të qëllimshëm. Bëhet fjalë për një pengesë, e cila është shfaqur aty për aty, dhe ka ardhur deri te përleshja e ngasësit të autobusit, dhe personave që kanë qenë aty, dhe ka ardhur deri tek incidenti, apo therja e viktimës”, tha Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Policia thotë ta ketë të pamundur që të japë detaje rreth motivit apo shkakut të mundshëm për incidentin, pasi rasti ka ndodh në territorin e huaj, dhe duhet pritur informacionet zyrtare të Policisë së Serbisë për t’i konfirmuar ato për opinion.

Shoferi i autobusit, ndërkaq ka dy plagë nga ky sulm, të cilat i janë shkaktuar me thikë nga njëri i të dyshuarve.

“Ata ishin dy ose tre, se një prej tyre qëndroi në veturë, por nuk e di saktë se sa ishin. Unë prej autobusit s’pata qare pa dal, sepse me më hy në autobus, unë nuk mundem t'i lejoj. Dhe ka gjuajtur me gurë. Na kanë sulmuar me gurë, pastaj e kanë ndalur veturën në rrugë”, shpjegon ai për Radion Evropa e lirë.

Berisha thotë se në kohën e incidentit në autobus kishte 55 udhëtarë, fëmijë, gra e pleq, të cilët ishin tmerruar nga kjo ngjarje, e cila siç thotë ai ndodhi në mes të malit.

Por përveç, këtij tmerri, sipas shoferit, frika e udhëtarëve ka zgjatur edhe më shumë, pasi ishin marrë në pyetje nga policia e Serbisë për të sqaruar secili prej tyre incidentin.

Qazim Berisha, ankohet edhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga autoritetet e atjeshme, pasi ishte plagosur.

“I kishim 55 vetë në autobus. Ka pasur fëmijë, ka pasur pleq. Edhe na kanë maltretuar edhe më vonë, duke i marrë pleqtë në pyetje, policia e serbëve. Nuk më kanë përcjell policia, as nuk më kanë pyetur për atë punë [policia serbe]. E kam thirrë një veturë private, ka ardhur më ka marrë dhe më kanë dërguar për Podujevë”, sqaron ai.

Viktima e sulmit, për shkak të plagëve në gjoks dhe nënsqetull, është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Për të sqaruar rrethanat e këtij sulmi, Policia e Kosovës thotë të ketë kontaktuar me Policinë e Serbisë nga të cilët kanë marr konfirmimin se janë në dijeni për rastin, dhe se po kërkojnë të dyshuarit që sulmuan këtë autobus.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG