Ndërlidhjet

logo-print

Çështja e emrit mbetet pezull


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Kontesti për çështjen e emrit me Greqinë nuk do të zgjidhet as pas zgjedhjeve lokale në Maqedoni, të cilat u fituan nga partitë në pushtet.

Kështu vlerësojnë ekspertët për çështje ndërkombëtare, sipas të cilëve, çështja e emrit do të vazhdojë të mbetet pezull derisa të mos ketë një gatishmëri nga ana e pushtetit, por edhe konsensus të gjerë si politik ashtu edhe etnik.

“Për një çështje të tillë patjetër që duhet të ketë një konsensus brenda subjekteve politike, edhe atyre në pozitë, edhe atyre në opozitë, edhe atyre shqiptare, edhe atyre maqedonase. Për fat të keq, një konsensus i tillë nuk ekziston, që mendoj se është pengesë që shteti si shtet të arrijë një qëndrim të qartë se deri ku mund të lëshojë pe".

"Pa një gjë të tillë, ne nuk mund të presim që dikush tjetër ta zgjidhë kontestin e Maqedonisë me Greqinë. Edhe Greqia nuk është shumë e interesuar ta zgjidhë kontestin, më shumë duhet të jetë e interesuar Maqedonia”, thotë Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ish diplomati Denko Maleski thotë se çështja e emrit që vazhdon të mbajë të bllokuar procesin e integrimit, nuk do të zgjidhet edhe për faktin se politikanët në pushtet këtë kontest e shndërruan në çështje të identitetit, gjë që e pamundëson edhe më shumë një zgjidhje të pranueshme nga e cila varet procesi i integrimit.

“Mendoj se me vite ne po largohemi nga zgjidhja e kontestit. Ne, këtë problem e kemi ndërlikuar edhe më shumë duke i dhënë dimensionin e kontestit të identitetit. Duke i shtuar këtë element, pra, atij të prejardhjes antike, praktikisht ne kemi hyrë në një situatë pa rrugëdalje për zgjidhjen e kontestit të emrit".

"Derisa nuk ndryshojmë qëndrimin tonë lidhur me interpretimet që i bëhen historisë, nuk mund të presim zgjidhje të problemit edhe përkundër vullnetit dhe shërbimeve të mira që marrim nga personalitete të larta nga jashtë”, thotë Maleski.

Ai shton se partitë edhe në momentet më të vështira për shtetin nuk arritën të ulen dhe të bisedojnë, por, ato në vazhdimësi ushqehen me nacionalizëm që rëndon mbi të ardhmen e vendit.

Sa i përket raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian, Bekim Kadriu beson se ai nuk do jetë tërësisht negativ, por, i balancuar.

Maqedonia, sipas tij, do të nis negociatat për kapitujt 23 dhe 24, njëri që ka të bëjë me gjyqësinë dhe të drejtat themelore të njeriut kurse tjetri me drejtësinë dhe punët e brendshme.

Por, paralelisht me zhvillimin e negociatave, ajo do të duhet të punojë edhe për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Rekomandimi i Komisionit do të jetë i balancuar, që të fillohen negociatat në dy kapituj, me qëllim që të stimulohet Maqedonisë. Por, në të njëjtën kohë ajo do të obligohet që paralelisht me negociatat, të zhvillohen edhe bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit sepse ky kontest që ekziston me Greqinë definitivisht nuk mund të zgjidhet deri në qershor”, thotë Bekim Kadriu.

Ndryshe, përveç çështjes së emrit, si kushte për marrjen e datës ishin vendosur edhe kapërcimi i krizës politike që u zgjidh vetëm pas ndërhyrjes së komisionerit për zgjerim Shtefan Fyle si dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, të cilat, përkundër parregullsive të evidentuara kaluan në atmosferë të qetë.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Riçard Hovit, ditë më parë tha se këto zhvillime janë inkurajuese që Maqedonia të mos humb rekomandimin e negociatave të cilat beson se mund të nisin në qershor, paralelisht me ato për zgjidhjen e çështjes së emrit.
XS
SM
MD
LG